Lajme Shqip Saturday, 14 April 2012 08:01

Shkup-Zyra e Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup ka shprehur dhimbjen e thellë dhe ngushëllimet deri tek familjet e pesë viktimave që u vranë në afësi të fshatit Smilkovc në dalje të Shkupit.

Nga kjo zyrë informojnë se shefi i misionit, ambasadori Aivo Orav është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet e Shkupit. “Jemi njoftuar se MPB po bën hetime të detajuara, andaj i bëjmë thirrje të gjitha palëve të rrinë qetë dhe të përmbajtur dhe të i japin hapësirë të nevojshme autoriteteve për të gjetur dhe nxjerrë para drejtësisë kryerësit e këtij akti vrastar” , thuhet në komunikatën e delegacionit të BE-së në Shkup.

Ambasada amerikane në Shkup është deklaruar lidhur me vrasjen e pesë shqiptarëve  në fshatin Smilkovc të Shkupit.“ Shprehim ngushëllimet tona familjeve të të vrarëve. Jemi në dijeni se autoritetet kanë filluar hetime për incidentin dhe gjetjen e autorit apo autorëve të kësaj vepre të tmerrshme”, theksohet në njoftimin e ambasadës. 

SHBA bëjnë të ditur se mbështesin përpjekjet e Ministrisë për Punë të Brendshme për të vazhduar hetimin dhe procedurat ligjore në kohë të duhur, dhe në kërkesën për bashkëpunim nga qytetarët në mënyrë që të mblidhen të gjitha të dhënat për vrasjet. 

“U bëjmë thirrje të gjitha palëve të involvuara të mbajnë qetësinë dhe të përmbahen nga spekulimet dhe pohimet e pavërtetuara.  Nxisim për durim derisa presim të bëhen të njohura faktet dhe të fillojë procesi ligjor”, thuhet në njoftimin e ambasadës amerikane në Shkup. (LajmeShqip.com)