Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 09:51

Shkup – Partia pjesëmarrëse në qeveri, Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI), ka kërkuar që procesi i regjistrimit të reflektojë strukturën etnike në vend.

Kështu ka bërë të ditur për Portalin Lajmeshqip.com, një zyrtar i lartë i kësaj partie. Kjo ishte rrjedhojë e përplasjeve midis anëtarëve të Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, të cilët kishin qëndrime diametralisht të kundërta.

Kryetarja e Komisionit për Regjistrim, Vesna Janevska, ka thënë se është optimiste se këto ditë pret që të harmonizohen qëndrimet midis anëtarëve shqiptarë dhe atyre maqedonas të Komisionit, sa i përket procesit të regjistrimit.

Janevska ka thënë se ka mbetur edhe një periudhë e shkurtër në të cilën duhet të arrihet marrëveshja për strukturën e regjistruesve.

Por, nënkryetari i KRP-së, Abdylmenaf Bexheti, ka thënë se anëtarët shqiptarë dhe ata maqedonas i kanë përafruar qëndrimet, por deri te një marrëveshje përfundimtare duhet të pritet një javë. Ai ka thënë se në mbledhjen e mbrëmshme është shqyrtuar propozimi i anëtarëve shqiptarë, me të cilët parashihet që koncepti i dy bashkësive më të mëdha etnike në nivel republikan, të zëvendësohet me bashkësinë më të madhe etnike në nivel rajonal të regjistrimit, gjegjësisht në nivelin e komunës përkatëse. Ai ka shtuar se Komisioni nuk do të lejojë që të ketë dy regjistrues vetëm të një bashkësie etnike.

Numri dy i KRP-së është optimist se javën e ardhshme Komisioni më në fund do t’i tejkalojë mosmarrëveshjet dhe se gjithçka do të jetë gati për procesin e regjistrimit të popullsisë në Maqedoni, që do të mbahet nga 1 deri më 15 tetor të këtij viti.

Sipas burimeve partiake, partia e Ahmetit është tërhequr nga ekipi njëetnik në komunat e pastra shqiptare. Pra, janë pajtuar që ekipet të përbëhen nga dy bashkësitë më të mëdha etnike në atë komunë.

“Nuk ka logjikë në mjedise etnike të ketë regjistrues të përzier”, ka thënë Bexheti. Përfaqësuesit shqiptarë dhe turq bojkotuan punën e Komisionit për regjistrim, pasi që nuk u pajtuan që regjistruesit të jenë prej dy bashkësive më të mëdha etnike në komuna. Sipas tyre kjo dëshmon për mosbesim ndaj bashkësive më të vogla etnike.

Për procesin e regjistrimit janë ndarë rreth 15 milionë euro. (LajmeShqip.com)