Lajme Shqip Wednesday, 24 August 2011 07:41

Shkup – Krerët e komunave shprehin vlerësime të ndryshme sa i përket idesë së kryetarit të Parlamentit Trajko Veljanovski për ndryshimin e Kodit zgjedhor që do t’i japë fund praktikës që krerët e komunave të kandidojnë për deputetë dhe më pas të kthehen në postin e mëparshëm.

Kryetari i komunës së Çairit, Izet Mexhiti, njëherësh nënkryetar i BDI-së ka kundërshtuar propozimin e Trajko Veljanovskit. “Personalisht mendoj se nuk është në prioritetet e këtij shteti d.m.th. 4 ose 5 kryetarë komunash do të kandidohen ose nëse e bëjnë këtë, a do të mbeten kryetar komunash apo do të bëhen deputetë. Ajo që është përfundimtare, çdo njëri duhet të zgjedhë në fund, ose të jetë kryetar komune ose të bëhet deputet republikan, por fillimisht dëshiroj t’i shoh arsyetimet, edhe pse mendimi im personal është se kjo çështje nuk është në prioritetet e këtij shteti”, ka thënë  Mexhiti.

Ndërkaq, kryetari i komunës së Gostivarit, Rufi Osmani, për dallim nga Mexhiti thotë se është pro propozimit të kryetarit të parlamentit Veljanovski, por sipas tij, propozimi duhet të përfshijë edhe funksionarë të tjerë, bartës të funksioneve të ndryshme.

“Mendoj se ky propozim në esencë synon që të tejkalojmë problemin që identifikohet me ballafaqimin e dy vullneteve politike dhe dy mandateve, njërit mandat i cili nuk ka përfunduar si kryetar komune dhe mandatit të ri i cili do të duhet të merret si deputet në parlament. Në parim jam për këtë propozim, por jam që ky propozim mos t’u adresohet vetëm kryetarëve të komunave por edhe të gjithë funksionarëve që kanë mandate dhe duke pasur mandate vijuese konkurrojnë për të marrë mandate tjera dhe më pas i lënë ato në emër të mandateve të kaluara”, u shpreh Osmani.

Me ndryshimet që propozon kryetari i parlamentit, Trajko Veljanovski në nenin 65 do të eliminohen dilemat për tërheqjen e deklaratave të parevokueshme për pranim të kandidaturës në momentin e shpalljes së rezultateve përfundimtare nga KSHZ nga ana e krerëve të komunave që kanë fituar mandatin e deputetit. Vetëm në zgjedhjet e parakohshme parlamentare këtë vit u kandiduan 7 kryetarë komunash për deputetë. Shumica e tyre ishin edhe bartës të listave të cilët pasi fituan mandatin e deputetit u tërhoqën nga ai funksion. (LajmeShqip.com)