Lajme Shqip Saturday, 30 July 2011 13:12

Shkup – Familjarët e të rrëmbyerve shqiptarë nga viti 2001 do të marrë iniciativë për përshpejtimin e zgjidhjes së procesit “Shpella”, bëjnë të ditur burime të Portalit Lajmeshqip.com, brenda BDI-së. Pasi që rastet e Hagës u mbyllën me ligjin për amnisti, nga partia e Ahmetit paralajmërojnë se do të aktualizojnë rastin në fjalë.

“Rrëmbimi i shqiptarëve ka vijuar në territore të cilat nuk kanë qenë të përfshirë nga konflikti dhe ata nuk duhet të përfshihen në ligjin e amnistisë. Nëse Prokuroria konfirmon se ata kanë lidhshmëri me konfliktin e vitit 2001, ata mund të trajtohen me ligjin e amnistisë”, ka thënë një funksionar partiak nga BDI.

Sipas burimit të njëjtë, familjarët e të rrëmbyerve do të ngrenë iniciativa të ndara deri te Prokuroria që të përshpejtohet rasti, me qëllim që të gjinden fajtorët për rrëmbimin.

Edhe pse dhjetë vjet pothuajse nuk ka lëndë për këtë rast, megjithatë burime gjyqësore pohojnë se i njëjti ekziston dhe ai gjendet në procedurë hetimore.
Sipas informacioneve nga BDI i pari që do ngrejë iniciativë, është ideologu i UÇK-së Fazli Veliu, njëherësh dajë i liderit Ali Ahmeti, vëllai i të cilit Ruzhdi Veliu nga Kërçova është njëri nga të rrëmbyerit.

Në vitin 2004, në vendin e quajtur “Shpella” u gjetën trupat e Ibrahim Veliut, Zeqirja Veliut nga Shkupi dhe e Islam Veliut nga Struga dhe shtetasit bullgar Radosllav Balev. Të rrëmbyer ende figurojnë Hajredin Halimi nga Shkupi, Ruzhdi Veliu nga Kërçova, Sulltan Mehmeti nga Struga dhe Xhelil Osmani nga ana e Gostivarit.

Ndryshe, të gjitha informacionet e familjarëve dhe të ish-kryetarit të Komisionit për të zhdukurit, Lars Wahlund, kanë thënë se Ruzhdi Veliu dhe të rrëmbyerit e tjerë shqiptarë janë arrestuar nga pjesëtarët e përbërjes rezervë të MPB-së. (LajmeShqip.com)