Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 09:15

Shkup – Golgota dhjetëvjeçare e 23 të akuzuarve për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, më në fund morri epilogun pozitiv. Ata prej të martës përfundimisht janë në liri. Këtë vendim e mori të martën Gjykata themelore Shkupi 2 nga Shkupi, pasi prokurori tërhoqi akuzën si rezultat  i interpretimit autentik të Ligjit për amnisti të cilin e miratoi Parlamenti i Maqedonisë në korrik të këtij viti.

Seanca gjyqësore nuk ka zgjatur më tepër se pesë minuta. Gjykatësi përmes një fjalie ka kumtuar se Prokuroria tërheq akuzën dhe ka ndërprerë seancën. Tërheqja e akuzës ka ngjallur reagime emocionale te familjarët dhe vetë të akuzuarit. Ata në sallën e gjykatës nuk mund të ndalin emocionet e tyre duke shprehur kënaqësinë që të afërmit e tyre përfundimisht do të jenë në liri.

Një ndër të akuzuarit, Shkodran Idrizi, pas përfundimit të seancës gjyqësore nuk ka mund të fshehë emocionet e tij duke u shprehur i lumtur që përfundimisht drejtësia doli në shesh dhe përmbyllet e gjithë ajo golgotë në të cilën kanë kaluar të akuzuarit dhe familjarët e tyre. “Përfundimisht jam i lumtur. Drejtësia doli në shesh, mbaroi krejt kjo. Nuk di çka t’u them, faleminderit, kjo është e tëra”, është shprehur shkurt  Shkodran Idrizi, i cili para dy viteve ishte ekstraduar nga Gjermania dhe ishte në paraburgim gati 20 muaj.

Avokati për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, Naser Raufi, pas përfundimit të procesit gjyqësorë ka deklaruar se 23 të akuzuarit përfundimisht do të mbeten në liri, pasi Prokuroria ka vendosur që të tërheqë aktakuzën për të gjithë të akuzuarit. “Procedura u ndërpre, prokuroria u tërhoq nga akuza. Kjo do të thotë se të gjithë të akuzuarit për rastin ‘Punëtorët e Mavrovës’ prej sot janë të lirë. Sot triumfoi drejtësia, asnjë prej të akuzuarve nuk ishte i involvuar në këtë rast. Kjo që ndodhi sot,  duheshe të ndodhë që moti, nuk ka asnjë arsye që kjo çështje të shkonte deri këtu. Të gjithë të akuzuarit prej sot janë në liri. Procedura përfundon në këto moment nuk ka të drejtë ankese askush pasi që prokuroria ka tërhequr akuzën dhe përfundimisht të gjithë të akuzuarit mbeten të lirë”, ka deklaruar avokati mbrojtës i të akuzuarve për rastin “Punëtorët e Mavrovës”, Naser Raufi. Sipas avokatit tjetër mbrojtës, Vlladimir Rakoçeviç, ky proces ishte i panevojshëm që në fillim kur Gjykata e Hagës nuk ngriti procedura hetimore për asnjërin nga katër rastet.

“Ligji për amnisti që në fillim ishte i qartë. Tribunali i Hagës u shpall si jokompetent, gjykatat duheshe të ndërkrejnë procedurat gjyqësore. Kjo që ndodhi deri më tani ishte një absurd, janë bërë shumë gabime gjatë procedurës dhe harxhime të kota, ndërsa pa kurrfarë arsye njerëzit janë mbajtur në paraburgim”, ka deklaruar avokati Rakoçeviç. Vendimin e Gjykatës themelorë Shkupi 1 e ka përshëndetur partia shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim. Koordinatori i grupit parlamentar të BDI-së, Talat Xhaferi në një deklaratë ka thënë se kjo është një fitore për të gjithë shqiptarët. “Ne që në fillim jemi shprehur kundër hapjeve të këtyre rasteve në Gjykatat e Maqedonisë, është mirë që gjykatat kanë respektuar ligjin dhe interpretimin autentik të ligjit për amnisti. Kjo është një fitore për të gjithë shqiptarët. Me këtë mbyllet një ndër plagët e konfliktit të vitit 2001. Ne si BDI, ju bëjmë apel të gjithë avokatëve mbrojtës se në bazë të ligjit për amnisti të ngrejë procedura dhe të bëjnë kërkesa edhe për rastet tjera që kanë të bëjnë me konfliktin e vitit 2001”, ka thënë deputeti i BDI-së, Talat Xhaferi. Vendimin për mbylljen e procedurave gjyqësore e ka përshëndetur edhe partia opozitare Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) e Rufi Osmanit. Deputeti i kësaj partie Izet Zeqiri ka deklaruar se kjo çështje është dashur të mbyllet që në kohën kur edhe u miratua Ligji për amnisti.

“Kjo çështje është dashur të mbyllet që nga sjellja e Ligjit për amnisti. Partneri maqedonas çdo herë këtë çështje e ka përdorur si shantazh ndaj partnerit politik shqiptarë. Ishte momenti i fundit që të shikojmë ka e ardhmja e jo nga e kaluara. Ne përfundimisht duhet të merremi me të ardhmen, fokusi jonë duhet të përqendrohet në përmirësimin e gjendjes ekonomike dhe sigurimi i një ekzistence më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë”, ka thënë deputeti i RDK-së, Izet Zeqiri. Ndryshe, për rastin

“Punëtorët e Mavrovës”akuzoheshin 24 persona. Ish deputeti i BDI-së, Hisen Xhemaili si dhe Xhevat Xhemaili, Bashkim Rushiti, Sheval Etemi, Shaban Zenuni, Kadri Sulejmani, Mirsat Ismani, Havzi Musliu, Safet Ogriq, Alinaxhi Idrizi, Xhemal Abdullai, Ilir Xheladini, Nusret Mustafi, Osman Nuhija, Musli Nuhija, Ismanil selmani, Arben Jakupi, jetmir Bejtullai, Sait Rushiti, Faik Allaraj, Shkodran Idrizi, Fadil Ferati, Krenar Osmani. E njëjta procedurë pritet të ndodhë edhe me mbylljen e tre rasteve tjera “Penda e Likovës”, që ngarkon ish-komandantë të UÇK-së për mbylljen e pendës së Likovës për furnizim me ujë të komunës së Kumanovës rasti i Neproshtenit për zhdukjen e civilëve maqedonas si dhe rasti “Udhëheqësia e ish UÇK-së”. (LajmeShqip.com)