Lajme Shqip Thursday, 24 November 2011 10:20

Oxhallan i dërgoi Asadit një mijë luftëtarë të PKK-së, të cilët do t’i ndihmojnë për të shuar betejat në Siri

Ankara – Lideri kryengritës kurd, Abdulla Oxhallan i ka dërguar presidentit sirian Bashar al Asad një mijë luftëtarë nga Partia punëtore kurde (PKK), të cilët do t’i ndihmojnë që të shuhen betejat në Siri, shkruan sot gazeta turke “Aksham”.

Gazeta thekson se kjo është zbuluar pas bastisjes së zyrave të avokatëve të organizatës Lidhja e komunave kurde, ku dhe me këtë rast është gjetur letër dërguar Asadit. Autoritetet turke e konsiderojnë Lidhjen e komunave kurde si degë lokale të PKK-së.

Avokatët, të cilët janë arrestuar në operacionin kundër Lidhjes, kanë vepruar si korrierë ndërmjet ishullit Impala, ku Oxhallan vuan dënimin e përjetshëm me burg dhe malit Kandil në Irakun verior, ku kryengritësit kurdë kanë bazat e veta.

Gjatë bastisjes janë zbuluar shkrime, të cilat dëshmojnë për lidhjet ndërmjet Sirisë dhe PKK-së, shkruan “Aksham”. Gazeta shton se Oxhallan, i cili gjatë periudhës prej 20 viteve ka kryesuar me PKK-në nga Siria, nuk i ka ndërprerë lidhjet me Qeverinë siriane pasi është larguar nga ai vend.

Në zyrën e avokatit të Oxhallanit janë gjetur shënime nga takimi në Imrala më 12 maj të vitit 2010. Atëherë lideri kryengritës ka kërkuar që në emër të tij t’i dërgohet letër Asadit, në të cilën thekson se kurdët e mbështesin qëndrimin sirian lidhur me çështjen kurde. Rreth një vit më vonë, në një takim tjetër në burg, Oxhallan ka cekur para avokatëve domosdoshmërinë për “kuadro të mjaftueshme” të cilat do të dërgohen në Siri. Sipas tij, në datën e takimit (18 maj 2011) atje janë transferuar rreth 1000 anëtarë të PKK-së.