Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 18:37

Shkup – Atje ku është nënshkruar Marrëveshja e Ohrit, dhjetë vjet më parë, aty edhe do të pasojë takimi i radhës i përfaqësuesve të lartë të BE-së me lidershipin në Maqedoni.

“Ripërtëritja është nëna e urtësisë” dhe ashtu presidenti i BE-së Hoze Manuel Baroso do të vijë me porosi identike si ajo e Fules deri te autoritetet e Shkupit, se “është koha e fundit të kthehet agjenda evropiane në majën e prioriteteve”, kanë bërë të ditur nga kabineti i presidentit të KE-së.

Barroso vjen në Maqedoni për të debatuar para së gjithash për reformat evropiane që nuk po zbatohen me tempin e pritur. Ai në takimet me Gruevskin, Ivanovin, Ahmetin e Cërvenkovskin në Ohër do tu thotë se pret të vendoset dialog konstruktiv, ndërsa BE të jetë instrument i konsensusit ndërpartiak dhe të mos keqpërdoret në fushatën parazgjedhore. Ndërsa, siç mësohet me koalicionin qeveritar do të ketë pika të veçanta të bisedimeve. Njëra nga ata, është liria e mediave dhe të shprehurit. Baroso siç bëhet e ditur do t’i thotë Gruevskit se gazetarët në Maqedoni duhet të ndjehen të lirë që t’i shprehin qëndrimet e tyre. Baroso, madje do t’i përcjell pushtetit se edhe proceset gjyqësore duhet të jenë fer, ndërsa ligjet të aplikohen në mënyrë objektive.

Takimet do të mbahen në Ohër me kërkesë të qeverisë së Shkupit. Baroso e File janë në turne ballkanik gjatë gjithë javës. Baroso do të mbajë ligjëratë në hotelin “Gorica” për relacionet mes BE-së dhe Maqedonisë. Pra, do të jenë katër shtete që do t’i vizitojnë Baroso dhe Fule para se të arrijnë në Maqedoni– Kroacia, Bosnjë e Hercegovina dhe Malizi i Zi. Ai do ta anashkalojë Tiranën, Beogradin dhe Prishtinën, ndërsa Fule në Shqipëri dhe në Serbi qëndroi vetëm para disa ditëve.