Lajme Shqip Monday, 04 April 2011 11:52

Daka – Dhjetëra persona janë lënduar, ndërsa mbi 50 janë arrestuar sot në kryeqytetin e Bangladeshit, kur policia u përlesh me islamistët të cilët protestojnë kundër planit të Qeverisë që grave t’u aprovojë të drejta të barabarta të trashëgimisë së pronës, njoftoi policia dhe dëshimtarë okularë.

Policia përdori gaz lotsjellës, shkopinj dhe topa uji që t’i dëbojë aktivistët e grupit islamist “Forum unitet”, të cilët e bllokuan autostradën e cila e lidh Dakën me portin kryesor në vend, Çitagong.

Aktivistët e këtij grupi marrin pjesë në grevën e përgjithshme të cilën për sot e paralajmëroi udhëheqësi i grupeve islamiste në Bangladesh myftiu Fazlul Hak Amini.

Demonstruesit, duke mbajtur shkopinj në duar dhe ekzemplarë të Kuranit, thirrnin kërkesa që Qeveria të heq dorë nga masat e reja të planifikuara, të cilat i konsiderojnë si kundërislamike.

Bangladeshi, ku 90 për qind e banorëve janë myslimanë, ka sistem sekular gjyqosor, i cili në çështjet të cilat u dedikohen trashëgimisë dhe martesës, i ndjek të drejtat e sheriatit.

Ligji islamik në këtë vend përcakton që fëmija femër të trashëgojë pronë jo të plotë në krahasim me pronën që e fiton fëmija mashkull.