Lajme Shqip Sunday, 07 August 2011 15:35

Tokio – Kreu i Organizatës së Kombeve të Bashkuar Ban Ki Mun i ka thënë presidentit sirian Bashar al-Asad se ai është i shqetësuar nga përshkallëzimin i dhunës në Siri dhe ka kërkuar që të ndalojë vrasjet ushtarake kundër civilëve.

Zyra për media e OKB-së në një deklaratë ka thënë se Sekretari i Përgjithshëm Ban Ki-Mun ka “shprehur shqetësimin e tij dhe atë të bashkësisë ndërkombëtare për dhunën dhe numrin e të vdekurve në Siri gjatë ditëve të kaluara”.

Në deklaratë thuhet se Ban “i bëri thirrje presidentit për të ndaluar përdorimin e forcës ushtarake kundër civilëve menjëherë”.

Kritikave ndërkombëtare u është bashkëngjitur edhe kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan. Vendi i tij e humbi durimin me regjimin e Asadit, porositi Erdogan dhe paralajmëroi se të martën do ta dërgojë shefin e diplomacisë Ahmet Davutogllu në Damask që t’ua bart autoriteteve të atjeshme vendosshmërinë e Turqisë.

Paraprakisht vendet e Gjirit Persik kërkuan ndalimin e dhunës kundër opozitës në Siri. Nga fillimi i protestave në Siri janë vrarë së paku 2.000 civilë, vlerësojnë aktivistët e të drejtave të njeriut në vend.