Lajme Shqip Monday, 11 April 2011 09:07

Nju-Jork – Sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-Mun kumtoi se forcat paqeruajtëse të KB-së në Bregun e Fildishtë i urdhëroi “me të gjitha mjetet e domosdoshme” t’i sulmojnë pozitat e Lorenesit GbagboS, për ta shkatërruar armatimin e rëndë të forcave të tij.

Ban Ki-Mun deklaroi se sulmi i ri ushtarak mbi kompleksin presidencial dhe kampet e afërta ushtarake është i domosdoshëm për shkak të sulmeve të reja të forcave lojale të Gbagbos mbi selinë e presidentit të njohur ndërkombëtarisht, Alsan Uatara dhe misionin e KB-së.

Sekretari i përgjithshëm i KB-së theksoi se Gbagbo e shfrytëzoi propozimin e negociatave nga dita e martë për “të rekrutojë forca dhe të zhvendosë armatim të rëndë”, transmetojnë agjencitë.

Sulmet e forcave franceze dhe forcat e KB-së kanë për qëllim “të pengohet shfrytëzimi i armatimit të rëndë që i kërcënohet popullatës civile të Abixhanit dhe të paqeruajtësve tanë”, theksoi Ban Ki-Mun në kumtesë.

Ai shprehu brengosje të thellë për situatën humanitare në Bregun e Fildishtë dhe shkeljet e të drejtave të njeriut.

“Civilët e mbajnë barrën e dhunës, pra për atë përleshjet patjetër duhet të përfundojnë. Zotëri Gbagbo patjetër duhet ta dorëzojë pushtetin pa anulime”, theksoi sekretari i përgjithshëm i KB-së.

Zëdhënësi i Gbagbos paraprakisht deklaroi se gjatë sulmeve të forcave franceze dhe atyre të KB-së ishte dëmtuar rezidenca presidenciale në Abixhan.