Lajme Shqip Tuesday, 08 October 2013 14:10

Shkup- Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti gjatë vizitës së tij në Hagë, falënderoi diplomatët dhe ushtarakët holandezë në arritjen e paqes në Maqedoni dhe ndërtimin e institucioneve demokratike, stabilitetit dhe sigurisë në vend.
Ahmeti theksoi që të gjitha të arriturat e përbashkëta me komunitetin ndërkombëtar në dekadën pas Marrëveshjes së Ohrit nuk duhet të rrezikohen me vonesat për anëtarësim në NATO dhe BE.
“Pikërisht ky investim i përbashkët dhe këto të arritura plotësohen vetem duke e integruar vendin në strukturat EuroAtlantike andaj dhe miqtë tanë, si Holanda dhe vendet e tjera të BE, duhet të vazhdojnë përpjekjet drejt tejkalimit të të gjitha pengesave që na pengojnë në këtë rrugëtim dhe rrezikojnë të arriturat e deritanishme”, u shpreh Ahmeti në takimin me Drejtorin Politik të Ministrisë së Brendshme Holandaze, Auke Venema, dhe Atashenë Ushtarake për Maqedoninë Jan Willem de Wolf.
Zgjidhja e emrit është pengesë serioze dhe sfidë për të ardhmen e vendit, prandaj kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti kërkoi që Holanda të përfshihet në zgjidhjen e kontestit me Greqinë në mënyrë që Ballkani Perëndimor përfundimisht të jetë stabil dhe i qetë.
Ahmeti do të takohet sot me Ministrin e Jashtëm të Holandës, Timermans si dhe me komisionet parlamentare për punë të jashtme dhe çështje evropiane. /INA/