Lajme Shqip Sunday, 16 September 2012 17:37

Tripoli-Sulmi kundër konsullatës amerikane në Bengazi ku humbi jetën ambasadori amerikan në Libi, Kris Stivens dhe tre zyrtarë të tjerë amerikanë ishte i planifikuar. Deklaratën e ka bërë kreu i parlamentit të Libise Mohammed Magarief, sipas të cilit ngjarja e 11 shtatorit ishte një sulm hakmarrës i planifikuar.

“Quajeni çfarë të doni, por ajo që ndodhi ishte veprim i një grupi me axhendë hakmarrese. Ata zgjodhën kohën, teknikën dhe viktimat.”-tha Magarief. Ambasadori amerikan në Libi, Kris Stivens dhe tre zyrtarë të tjerë pjesë e personelit diplomatik u vranë kur një grup personash të armatosur sulmuan konsullatë gjatë një proteste kundër filmit amerikan “Pafajësia e myslimaneve” i cili ofendon Islamin dhe profetin Muhamed.

Por Magarief tha se videoja në fjale ka mbi 6 muaj që është hedhur në internet, ndaj nuk mund të përdoret si justifikim për protestat. “Një proteste nuk mund të transformohet deri në këtë pikë, përveçse nëse është planifikuar që nga fillimi” –tha Magarief.

Ai shtoi se autoritetet libiane kanë arrestuar rreth 50 persona që akuzohen se janë të përfshirë në sulmin e 11 shtatorit në Bengazi. Tripoli zyrtar i ka kërkuar falje SHBA-ve për këtë sulm duke premtuar se do të nxjerrë vrasësit para drejtësisë. (LajmeShqip.com)