Lajme Shqip Friday, 21 December 2012 20:40

Londer – Sipas themeluesit të web-faqes Wikileaks, Julian Asaange, interneti tashmë është shndërruar në një mjet tejet të rrezikshëm për secilën shoqëri në botë. “Ata që na përcjellin, tashmë dinë gjithçka për neve”, thekson ai, derisa aludon në agjencitë shtetërore dhe në kompanitë e mëdha, të cilat mbledhin një mori informacionesh për të gjithë shfrytëzuesit aktivë të internetit.

“Ata që po na përcjellin dinë gjithçka për neve”, pohon Assange në një intervistë që ia dha shtëpisë botuese serbe Albion Books, e cila boton gazetën ‘Danas’.

“Sëmundja që ka përfshirë internetin po e përfshinë edhe secilën shoqëri tonën, por edhe gjithë civilizimin. Kjo sëmundje, e cila po përhapet gjithnjë e më shumë, nga njëra anë paraqet një mbikëqyrje absolute të komplet qarkullimit telekomunikues që ndodhë në internet, si transaksionet tona financiare, idetë intelektuale, lidhjet e ndërsjella, etj., e nga ana tjetër, ajo paraqet edhe një mënyrë të re të kontrollit për gjithë rrjedhat e këtyre informacioneve, gjegjësisht një tentim për mbikëqyrjen e vetë ‘sistemit të qarkullimit të gjakut’ të komplet civilizimit global”, thekson Assange.

“Një zhvillimi i tillë i situatës ndaj distopisë së re transnacionale tani po shfaqet në përmasa që s’janë parë kurrë më parë. Kjo gjë nuk po ndikon vetëm ndonjë shtet të ndonjë rajoni të caktuar, por në tërë botën. Madje, po ndikon n të gjitha shtete përnjëherësh, sepse të gjitha shtetet tashmë janë pjesë e internetit. Këtu pra kemi të bëjmë me vjedhjen më të madhe në historinë e njerëzimit. Për shembull, Agjencia amerikane për Siguri Kombëtare, që është agjencia më e madhe shtetërore e informimit, ka panair para Kongresit se gjatë secilës ditë kryen mbi 1.6 miliardë ndërhyrje”, sqaroi tutje Assange.

“Google di më shumë për ju sesa nëna juaj”

Sipas pohimeve të themeluesit të web-faqes WikiLeaks, interneti kështu është shndërruar tashmë në një kërcënim të madh për shoqërinë.

“Tanket” kanë hyrë tashmë brenda hapësirës kibernetike, sqaron ai, megjithëse, sipas Assange, ekzistojnë dy mënyra se si qytetarët mund të mbrohen dhe të luftojnë kundër këtij problemi.

“E para është që mënyrën tonë të komunikimit t’ia përshtatim rreziqeve, të cilët de facto ekzistojnë. Kjo do të thotë se, duhet të jemi shumë më të kujdesshëm gjatë komunikimit dhe mbajtjes së lidhjeve tona në botën online. Duhet të jemi të vetëdijshëm se të gjitha këto informacione mblidhen nga shtete e mëdha, si SHBA’të, dhe se ato pastaj iu dërgohen jo vetëm agjencive shtetërore të zbulimit dhe informimit, por iu dërgohen edhe korporatave të tyre partnere, të cilat edhe janë sponsoruese, gjegjësisht janë të lidhura teknikisht me agjencitë e mëdha të zbulimit/informimit, por edhe me shtetet e tjera me të cilat mirëmbajnë raporte aleate. Masa e dytë është përdorimi i teknologjisë kriptografike, e cila, po të përdoret si duhet, ofron një mbrojtje të mirë qoftë edhe ndaj shteteve më të fuqishme”, thotë Assange.

“Çfarë mund të bëni ju, nëse Google dhe Facebook dinë më tepër për juve sesa vetë nëna juaj? Për shembull, Google e di saktësisht se çfarë keni kërkuar në internet para një viti, para dy muajve, para tri dite… ndërkohë që ju këtë gjë nuk e dini. Prandaj, ka shumë pak gjëra që ju mund të bëni për ta ndryshuar këtë gjendje, për shkak se ato gjëra ka kohë që i dinë shtetet e fuqishme dhe aleatët e tyre, gjegjësisht korporatat e tyre partnere. [..] Mënyra e vetme për të qenë të lirë, është që t’i pengojmë këto organizata për të ditur se kush jemi ne, apo se për çka flasim/shkruajmë kur komunikojmë. E për ta arritur këtë gjë, është e domosdoshme që ta shfrytëzojmë kriptografinë”, përfundon Assange.(G.E/LajmeShqip.com)