Lajme Shqip Wednesday, 07 December 2011 20:26

Damask-Presidenti i Sirisë Bashar al Assad deklaron se nuk ndjehet fajtor për shtypjen e dhunshme të protestave, pavarësisht raportimeve për brutalitetin që është ushtruar nga forcat e tij të sigurisë.  

Në një intervistë për rrjetin amerikan ABC, Bashar al-Assad tha se nuk ka dhënë asnjë urdhër që të përdoret dhuna kundër protestuesve megjithëse pranoi që janë bërë edhe gabime. Assad tha se nuk i zotëron ai forcat e sigurisë së vendit.

“Kam bërë më të mirën për të mbrojtur popullin, kështuqë nuk ndjehem aspak fajtor. Natyrisht që ndjehesh keq për jetët e humbura por nuk ndjehesh fajtor kur nuk vret njerëz. Ne nuk i vrasim njerëzit tanë. Asnjë qeveri në botë nuk vret popullin e vet, vetëm nëse drejtohet nga një i çmendur”-tha presidenti sirian.  

Kanë reaguar SHBA-të të cilat kanë hedhur poshtë deklaratat e Asad se ai nuk ka urdhëruar vrasjet e protestuesve. “Nuk është i besueshëm”-tha zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney.

Kombet e Bashkuara thonë se të paktën 4 mijë vetë janë vrarë që nga fillimi i protestave 10 muaj më parë. Por Asad tha se Kombet e Bashkuara nuk janë të besueshëm, ndërsa shpesh ai ka akuzuar grupet kriminale të armatosura për dhunën në vend.

Intervista e Asad vjen vetëm një ditë pasi SHBA-të njoftuan se ambasadorin i tyre në Siri, Robert Ford, do të kthehet sërish në Damask pasi u tërhoq në muajin tetor për shkaqe sigurie. (LajmeShqip.com)