Lajme Shqip Tuesday, 21 August 2012 19:10

Londër – Hyrja me forcë në ambasadën e Ekuadorit në Londër do të ishte një vetëvrasje diplomatike për Britaninë e Madhe. Këtë paralajmërim e jep Presidenti i Ekuadorit Rafael Correa sipas të cilit një lëvizje e tillë do të mund të kishte pasoja në të gjitha misionet diplomatike në botë. Correa dha një intervistë për televizionin shtetëror ku komentoi publikisht zhvillimet e fundit mbi çështjen e themeluesit të rrjetit Wikileaks Julian Assange.

 “Britania e Madhe nuk është tërhequr dhe as ka kërkuar ndjesë ndaj rreziku ende ekziston”, u shpreh Correa ndërsa dha shumë pak detaje për mënyrën se si do të nxirret Assange nga ambasada për tu dërguar në Ekuador ku tanimë ka fituar statusin e azilantit politik.

 Correa tha se nëse është e nevojshme ai është i përgatitur që këtë çështje ta dërgojë edhe në Kombet e Bashkuara. Zyrtari ekuadorian tha se shpreson edhe për një mbështetje të fortë nga një takim që mbahet të premten mes organizatës së shteteve të Amerikës. “Ne shpresojmë që të sqarohet kjo çështje me koherencë pasi përndryshe do të dhunonte ligjet ndërkombëtare, konventën e Vjenës dhe gjitha traditat diplomatike të krijuara që paku prej 300 vitesh në shkallë globale”, u shpreh Correa. Në intervistën e tij ai ngriti edhe pyetjen se “nëse britanikët thonë se nuk kanë zgjidhje tjetër veçse ekstradimit të Assange atëherë pse nuk ekstraduan Augusto Pinoçetin?”.(LajmeShqip.com)