Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 09:15

New York – Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara mbrëmë ka miratuar një rezolutë joobligative që i jep mbështetje planit të Ligës Arabe, i cili i bën thirrje liderit sirian Bashar al-Asad që ta lërë pushtetin, për të cilin dënohet ashpër për shkak të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

Asambleja 193 anëtarëshe votoi rezolutën me 137 vota pro, 12 kundër dhe 17 abstenime.

Rezoluta është e njëjta me atë, ndaj së cilës Rusia dhe Kina përdorën veto në Këshillin e Sigurimit më 4 shkurt.

Që të dy shtetet sërish votuan kundër rezolutës.

Ambasadori rus në OKB, Vitali Çurkin tha se ai ka votuar kundër rezolutës, sepse sipas tij nuk sqarohet në mënyrë specifike se “të gjitha palët duhet të ndalojnë dhunën dhe se vendimet e nevojshme duhet të arrihen vetëm në mes të vetë sirianëve përmes një procesi të hapur politik”.