Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 14:58

Shkup – Maqedonia nuk do t’i njoh dokumentet, të cilat Serbia i ndanë për serbët e Kosovës, nëse ato nuk njihen ndërkombëtarisht. Lidhur me këtë Ministria e Punëve të Brendshme (MPB), do t’i respektojë standardet evropiane dhe nuk do të bëj asnjë lëshim në këtë drejtim. “Nëse ato dokumente janë të njohura ndërkombëtarisht, sigurisht që do t’i njohim edhe ne, por nëse ato dokumente nuk i njeh askush nuk do t’i njohim as ne”, ka thënë zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Brendshme (MPB), Ivo Kotevski.

Serbia ka kohë që lëshon dokumente personale dhe taraga tw makinave për serbët e Kosovës. Autoritetet kosovare kanë mohuar mundësinë që të pranojnë ndonjë marrëveshje në dialogun me Serbinë, me të cilën do të legalizoheshin dokumentet e udhëtimit që Beogradi lëshon për serbët e Kosovës.

Bajram Rexhepi, ministër i Punëve të Brendshme, ka thënë se të tilla dokumente nuk do të konsiderohen si legale nga autoritetet e rendit. Sipas tij, do të jetë i papranueshëm secili propozim që është jashtë standardeve që shtetet evropiane aplikojnë për lëvizjen e lirë.

Ditë më parë policia e Kosovës gjatë një kontrolli në komunikacion, ka gjetur një patentë-shofer të ri të lëshuar nga Qeveria e Serbisë, të cilën e ka konfiskuar me arsyetimin se ky dokument nuk vlen në shtetin e Kosovës.