Lajme Shqip Sunday, 01 April 2012 19:02

Shkup-Ndaj arrestimit të dy policëve nga Kosova, nga ana e xhanadarmërisë serbe, ka reaguar sot edhe kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçi.

Në një deklaratë dhënë RTK-së, Thaçi e ka quajtur këtë veprim të autoriteteve serbe marketing politik në prag të mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare në këtë vend. Ai ka shtuar se pas zgjedhjeve të majit në Serbi, bashkësia ndërkombëtare do t’u tërheq vërejtjen autoriteteve serbe që mos të hidhen më në aventura të këtilla provokuese.

Bashkimi Demokratik për Integrim, përmes zëdhënësit, Bujar Osmani, e ka cilësuar veprimin e policisë serbe si akt kriminal dhe në kundërshtim me trendet ndërkombëtare. Partitë shqiptare në Maqedoni kërkojnë nga Beogradi zyrtar që të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar antievropiane dhe t’i lirojë policët e arrestuar padrejtësisht.

Ndërkaq, ndaj këtij akti ka reaguar edhe Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) në Maqedoni.

“Ne dënojmë ashpër aktin kriminal dhe vandal të policisë serbe në kufirin me Kosovën. Është akt në kundërshtim të plotë me frymën dhe trendet e europianizimit të rajonit që nënkupton bashkëpunim të ngushtë policor rajonal, është gjithashtu në kundërshtim me aspiratat deklarative të Serbisë për rajon të qetë dhe të integruar, dhe për zvoglim të dallimeve në mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në një deklaratë të kësaj partie.

Sipas zëdhënësit të kësaj partie, Bujar Osmani, ky akt ndoshta mund të shihet edhe në kontekst të periudhës parazgjedhore në Serbi apo si refleksione të strukturave Millosheviqiane atje, por, kjo, sipas tij, “nuk mund të justifikon këtë akt kriminal”.

“Andaj, kërkojmë nga Beogradi zyrtar që të tërhiqet nga kjo politikë e gabuar antieuropiane dhe t’i liron padrejtësisht të arrestuarit”, theksoi zëdhënësi i BDI-së, Bujar Osmani.