Lajme Shqip Monday, 08 August 2011 16:42

Shkup – Zv/kryeministrja e Maqedonisë për Eurointegrime Teuta Arifi në intervistën për “Dojçe Vele”, ka thënë se procesi i marrjes së datës për bisedime mbetet prioritet i lartë qeveritar. Ajo është e mendimit se edhe shqiptarëve edhe maqedonasve u duhet anëtarësimi në NATO dhe proces i zhbllokuar për negociata me BE-në.

Sipas saj, duhet patjetër të gjendet kompromis për kontestin e emrit me Greqinë, nga i cili do të kërkohet partneritet dhe mbështetje për procesin euro-integrues.

“Problemi me emrin është problem politik. Por, nga ana tjetër, në procesin e bisedimeve dhe anëtarësimit në BE ka shumë direktiva dhe punë, për të cilët duhet të bisedohet dhe ku ne duhet të gjendemi. Ka shumë çështje, të cilët kanë të bëjnë me funksionimin e dialogut politik, reformat në sistemin gjyqësor, kushtet më të mira shëndetësore për njerëzit”, ka thënë Arifi.

“Ende është herët të thuhet se çka do të jetë pozitive, e çka negative, por do të marrim raport korrekt dhe të mirë. Në këtë kohë që ka mbetur synimi im është të arrihet sa më shumë që është e mundur, për shkak të marrjes së raportit korrekt dhe pozitiv sa i përket përparimit të vendit drejt BE-së”, ka shtuar Arifi. “Mendoj se stabiliteti dhe zhbllokimi i proceseve euro-integruese do të kontribuojnë drejt stabilitetit dhe zhvillimit më të mirë ekonomik të Maqedonisë”, është shprehur më tej ajo.

Ajo ka thënë se vendi ka obligime korrekte ndaj BE-së, të cilat qartë qëndrojnë në direktiva. “Ato obligime duhet ti realizojmë dhe mes tjerash, në krahasim me problemin kryesor që ndërlidhet me kontestin e emrit të tregojmë gatishmëri që të merremi me të dhe ta zgjidhim”, ka shtuar Arifi. Ndryshe, zëvendëskryeministrja Arifi ka thënë se duhet të tregohet gatishmëri dhe pjekuri nëse duhet shpejtë të zgjidhet ky problem, sepse siç shton, “me përbërjen e re qeveritare mund të tregojmë efikasitet më të madh”.