Lajme Shqip Friday, 10 August 2012 16:51

Shkup – Arbën Xhaferi, kryetar nderi i PDSH’së, i cili vazhdon të jetë në gjendje kome, ndodhet për shërim intensiv në Klinikën e Neurokirurgjisë.

Gjendja e tij përshkruhet të jetë e rëndë, ndërkohë që mjekët po bëjnë përpjekje për shpëtimin e tij, pas një gjakderdhjeje masive në tru që Xhaferi e pësoi të mërkurën.

Aktualisht, Xhaferi është vendosur në aparate për frymëmarrje. Këtë e konfirmoi edhe neurokirurgu kujdestar në Klinikën e Neurokirurgjisë, Vladimir Mircevski, sipas të cilit, Xhaferi është në një gjendje të rëndë shëndetësore, edhe pse relativisht stabile.

“Arbër Xhaferin në klinikë e pranuam të mërkurën mbrëma, rreth orës 21, si pasojë e përkeqësimit të gjendjes shëndetësore dhe të humbjes së vetëdijes. Ai tani është në përkujdesje, dhe i është dhënë terapia e duhur. Megjithatë, gjendja e tij momentale është e rëndë. Janë ndërmarrë të gjitha masat e duhura dhe mjekimi i tij po vazhdon”, deklaroi Mircevski.

Derisa po i përgjigjej pyetjes së një gazetari për parashikimin e zhvillimeve të mundshme, Mircevski sqaroi se Xhaferi vazhdon të jetë në gjendje të rëndë dhe pa vetëdije.

Si rrjedhojë, Mircevski theksoi se askund në botë nuk jepen parashikime për sëmundjen gjatë 48 orëve të para të pranimit të pacientit në spital.

Ish-kryetari i PDSH’së ka vite që vuan nga sëmundja e Parkinsonit, megjithëse, sipas doktorit Mircevski, kjo sëmundje nuk ka ndikuar në gjendjen e tij aktuale. (LajmeShqip.com)