Lajme Shqip Wednesday, 23 March 2011 13:45

Shkup – Në qoftë se nesër do të mbaheshin zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Maqedoni, partia qeveritare VMRO-DPMNE, do të kishte marrë mbështetjen e 23.6 për qind të qytetarëve, ndërsa LSDM-ja opozitare 13.3 për qind, ka treguar anketa e fundit e Institutit për hulumtime politike.

Sipas anketës, BDI ka mbështetjen e 7.6 për qind e qytetarëve, PDSH 3.5 për qind, ndërsa rejtingu i DR-së së Selmanit është 2 për qind. Në krahasim me anketën e muajit shkurt, te të gjitha partitë politike vërehet rritje e butë e rejtingjeve, në llogari të atyre që janë të pa përcaktuar. Madje, 19.7 për qind e qytetarëve, ende nuk e dinë për kë do të votojnë, ose nuk kanë përgjigje lidhur me çështjen.

Mes politikanëve, anketa tregon se besueshmëri më të madhe gëzon kryeministri Nikolla Gruevski me 24 për qind përkrahje, pason Branko Cërvenkovski me 9.3 për qind, Ali Ahmeti 7.8 për qind dhe Menduh Thaçi 3.2 për qind, 2,2 për qind te Imer Selmani dhe 1,9 për qind e qytetarëve të Maqedonisë kanë besim te Rufi Osmani. Çdo i treti maqedonas në bazë të anketës së Instiutit beson se zgjedhjet do t’i fitojë partia qeveritare VMRO, ndërsa 13.5 për qind presin që opozita ta merr pushtetin. 8.1 për qind që zgjedhjet t’i fitojë BDI, derisa 2.3 për qind PDSH e Thaçit.

Bile, 25,1 për qind e qytetarëve dëshirojnë të mos ketë ndryshime në pushtet, derisa 14.2 për qind dëshirojnë që LSDM t’i fitojë zgjedhjet. Fitoren e BDI-së e dëshirojnë 9,3 për qind, ndërsa PDSH 4 për qind e qytetarëve. Ndryshe, anketa është zbatuar në bazë të ekzemplarëve reprezentativ prej 1.100 të anketuarve në gjysmën e parë të muajit mars.