Lajme Shqip Friday, 17 February 2012 10:15

Londër – Britania e Madhe dhe Franca do të nënshkruajnë një marrëveshje për bashkëpunim në energjinë bërthamore për nevoja në kohëra të qeta, duke punuar bashkë për ndërtimin e gjeneratës së re të centraleve elektrike për nevojat britanike.

Marrëveshja në vlerë prej gjysmë miliardë funtash (rreth 600 milionë euro) të cilën do ta realizojnë kompanitë e dy vendeve, do të mundësojnë vetëm në Britaninë e Madhe hapjen e 1.500 vendeve të reja të punës.

Kryeministri britanik, David Cameron, me këtë rast sot do të ketë një takim në Paris me presidentin francez Nikolas Sarkozy. Para largimit për në kryeqytetin francez Cameron deklaroi se kjo marrëveshje është vetëm fillim i një cikli të ri investues britanik, i cili duhet të arrijë vlerë prej 30 miliardë funta, që do të mundësojë punë për rreth 30 mijë njerëz.

Pas marrëveshjes për “partneritet historik” në sektorin e mbrojtjes, i cili u nënshkrua vitin e kaluar, tani Britania e Madhe dhe Franca po kthehen nga marrëveshja në energjinë bërthamore civile, tha kryeministri Cameron, duke insistuar se dy vendet fqinje mund të krijojnë partneritet të fuqishëm, i cili do të ndihmojë për zhvillimin e sigurisë bërthamore dhe do të hap shumë vende të reja të punës në të dyja vendet.

Downing Street 10, kumtoi se dy liderët në Paris, përveç bashkëpunimit bilateral, do të debatojnë edhe për situatën në Siri, si dhe për krizën iraniane dhe përpjekjet e Teheranit për prodhimin e armëve bërthamore. Samiti francezo-britanik në Paris vjen pas “luftës” së ashpër verbale që para fundit të vitit të kaluar dhe fillimit të këtij viti, që udhëhiqej midis dy vendeve rreth gjendjeve evropiane, krizës së euros dhe masave për tejkalimin e saj.