Lajme Shqip Thursday, 21 April 2011 11:36

Bruksel – Shtohen zërat brenda NATO-s të cilët kërkojnë intensifikimin e sulmeve ajrore në Libi.

Shtetet e Bashkuara miratuan ndihmën prej miliona dollarësh për opozitën në Libi. Franca ka kërkuar intensifikimin e sulmeve kundër regjimit libian. Presidenti Nikolas Sarkozi, ka premtuar forcimin e sulmeve ajrore, të udhëhequra nga NATO-ja, për t’i ndihmuar kryengritësit, që luftojnë kundër regjimit të Gadafit, në qytetin Misrata dhe eventualisht, ta mundin sunduesin e Libisë, i cili për një kohë të gjatë është në pushtet në këtë vend të Afrikës Veriore.
Një zyrtar në zyrën e presidentit Sarkozi, ka thënë se këtë premtim presidenti e ka bërë gjatë një takimi të mbrëmshëm të tij me liderin e Këshillit Kombëtar të kryengritësve, Mustafa Abdel Jali.

Ndërkohë është njoftuar se dy fotoreporterë perëndimorë janë vrarë në Misrata, derisa po e mbulonin luftën në këtë qytet, ndërmjet kryengritësve dhe forcave të kolonelit Muamer Gadafi.
Kolegët thanë se shtetasi britaniko-amerikan, Tim Hetherington dhe amerikani, Chris Hondors, janë vrarë mbrëmë vonë, kur grupi i tyre ishte goditur nga zjarri në qytetin Misrata.
Tim Hetheringtion, 41-vjeçar, ishte regjisor i filmit dokumentar “Restrepo”, për ushtarët e Shteteve të Bashkuara në Afganistan.
Chris Hondros, po ashtu 41 vjeçar, kishte raportuar nga zonat e konflikteve prej viteve të 90-ta, përfshirë edhe luftërat në Kosovë, Irak dhe Afganistan. Raportohet se të dy fotoreporterët ishin në mesin e 10 të vrarëve në Misrata, që është qyteti i tretë për nga madhësia në Libi.