Lajme Shqip Thursday, 05 April 2012 08:30

Ekstremisti neonazist, Anders Behring Breivik, sfidoi një vendim të mëparshëm të gjykatës që e konsideroi si të çmendur, duke deklaruar se vrau 77 persona dhe plagosi 151 të tjerë në një kamp veror në korrik 2011 me “vetëdije dhe ndërgjegje të plotë”.

Në një letër drejtuar të përditshmes norvegjeze “Verdans Gang”, Breivik konsideroi raportin psikiatrik si “të rremë”, ndërsa vlerësoi se 80% e studimit të profilit të tij mendor është i “keqinterpretuar, i pasaktë dhe i modifikuar qëllimisht”.

Psikiatrët që e morën në analizim, Torgeir Husby dhe Synne Soerheim vlerësuan se 32-vjeçari vuan nga “skizofrenia paranojake”, por disa ekspertë të tjerë kanë vendosur në dyshim këtë vlerësim.

Gjyqi ndaj Breivik do të nisë në datën 16 prill dhe ai i ka bërë të qartë avokatëve të tij mbrojtës se dëshiron të trajtohet si një person mendërisht i saktë.

Në një letër prej 38 faqesh, autori i masakrës më të përgjakshme në historinë e Norvegjisë moderne përshkruante se “dërgimi në një psikiatri është një fat më i keq se vdekja”.

Pak pas arrestimit të tij, Breivik publikoi një manifest prej 1 500 faqesh, në të cilin e konsideronte veten si një “kryqtar” dhe për këtë arsye, ai shpreson që kauza e tij të mos përbaltet nga spekulimet për mungesën e qëndrueshmërisë psikologjike.

Breivik kreu sulmin e tij me armë automatike dhe bombë, i shtyrë nga bindjet neonaziste dhe anti-islamike. Sipas tij, krimi i përgjakshëm do të ndërgjegjësonte vendin për nevojën e vendosjes së rregullave më të forta kundër emigracionit dhe për vendosjen e rregullave për mospërhapjen e islamit.