Lajme Shqip Wednesday, 08 February 2012 16:30

Republikanët kanë përmbyllur të martë pas mesnate, procesin zgjedhor për kandidatin presidencial edhe në tre shtete që janë fituar nga pretendenti Rick Santorum, i cili ka ndalur kështu vrullin e kryesuesit të deritanishëm të garës, rivalit të tij, Mitt Romney.

Zgjedhjet që do të përcaktojnë kandidatin republikan përballë Presidentit, Barak Obama, janë zhvilluar në Misuri, Minesota dhe Kolorado dhe asnjë sondazh nuk e kishte parashikuar se senatori i dikurshëm i Pensilvanisë, Rick Santorum do të ishte “zbulimi i madh” i konservatorëve në të trija shtetet së bashku.

Rick Santorum ka fituar bindshëm në Minesota 28 pikë para dhe në Kolorado ka qenë 5 pikë para ndaj ish-guvernatorit të Masacusets, Mitt Romeny, i cili pas fitoreve që shënoi në zgjedhjet paraprake në Nju Hampsher, Florida dhe Nevada, shpresonte të forconte pozitat në garën republikane.

Në këtë mënyrë, Santorum ka fituar dhe numrin më të madh të delegatëve, për të cilët bëhet dhe “lufta” mes kandidatëve, pasi do të jenë ata që në kongresin e Partisë Republikane, në muajin gusht, do të nominojnë kandidatin presidencial.
     Sipas rregullave të Partisë Republikane procesi i votimit nuk prodhon delegatë në Misuri, por fitorja në këtë shtet është prestigj për kandidatin dhe një barometër se si lëvizin votat. Të dhënat tregojnë se në Minesota dhe Mizuri dominojnë votuesit evangjelistë, që kanë mbështetur kandidatin Santorum, i cili mbron hapur pikëpamjet e tij kundër abortit apo kundër martesave të së njëjtës gjini.

Me moton “Besim, Familje, Liri”, Rick Santorum shpreson të nxjerrë në shesh “alternativën si konservator me bindje” ndryshe nga ajo që ofrojnë rivalët e tij të mbetur në garë, Mitt Romney, Newt Gingrich dhe Run Paul.

“Konservatorizimi është i gjallë”, tha Santorum në nisje të fjalës që ai mbajti nga përpara mbështetësve të tij në Minesota, pas përfundimit të procesit zgjedhor. Santorum ka adresuar kritika ndaj Presidentit Obama dhe kandidatit Mitt Romney, të cilin duket se e sheh si rival kryesor.

“Unë do të kujdesem për të gjithë amerikanët. Unë nuk do të kujdesem vetëm për varfërit, apo vetëm për të pasurit, apo për klasën e mesme”, tha Santorum duke atakuar kështu Presidentin Obama që ka në qendër të vëmendjes klasën e mesme apo Mitt Romney që ka deklaruar se “nuk shqetësohet për të varfërit pasi ata trajtohen nga një skemë e sigurt e përkrahjes sociale”.

Gjithsesi, Santorum tha se nuk do të jetë një alternativë konservatore për Mitt Romney, por për Barak Obamën që sipas tij ka dështuar në drejtimin e vendit dhe në politikën e jashtme. Ky është një rikthim i Rick Santoruim në qendër të garës republikane. Ai fitoi me një rezultat të ngushtë ndaj Mitt Romeny në Ajoua, shteti ku dhe nisi zyrtarisht gara republikane, dhe pas katër shteteve të humbura ku ai pothuajse renditej i fundit tashmë shndërrohet ndër kryesuesit e garës.
Po Mitt Romney?

Ai ka humbur bindshëm ndaj Rick Santorum. Në Minesota arriti të merrte 17 për qind të votave nga 45 për qind që mori Santorum, në Mizuri 25 për qind nga 55 që mori Santorum dhe në Kolorado 35 nga 40 për qind.

Humbja bëhet edhe më e madhe pasi Romney ka humbur në dy shtete, në Minesota dhe Kolorado, të cilat i kishte fituar në vitin 2008, në përpjekjen e tij të parë për të fituar nominimin e republikanëve si kandidat presidencial.

Romney ka uruar për fitoren Rick Santorum, ndërsa ka sulmuar sërish Presidentin Obama për premtimet e pambajtura në këto tre vite. Tashmë mbeten dhe 42 shtete të tjera ku republikanët amerikanë do të vijojnë procesin zgjedhor për nominimin e kandidatit presidencila.

Këto zgjedhje parashikohet të përfundojnë në verë, me mbledhjen e Kongresit të Partisë Republikane ku delegatët e caktuar në bazë të votave që ka mbledhur secili kandidat do të përcaktojnë dhe emrin që do të përballet me Presidentin Obama në zgjedhjet e nëntorit.

Deri atehërë mbetet për t’u parë, por sot mund të thuhet se dinamika e garës republikane ka ndryshuar. Me rezultatin e arritur, Santorum mund të rikuperohet, ndërsa Romney ka bërë disa hapa prapa