Lajme Shqip Wednesday, 07 March 2012 11:15

Nju Jork – Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ndajnë të njëjtin mendim se Irani ka ambicie për armë bërthamore, që rrezikojnë sigurinë e dy vendeve dhe më gjerë. Por, SHBA dhe aleati i saj më i ngushtë në Lindjen e Mesme, ndahen në mënyrat se si duhet ta ndalin ambicien e republikës islamike.

Tre dekada më pas…

30 vjet më pas, izraelitet konsiderojnë si rrezik për sigurinë programin bërthamor të Iranit, megjithëse autoritetet e republikës islamike këmbëngulin se programi i tyre ka vetëm qëllime paqësore.

Është një program për qëllime paqësore, apo për përvetësimin e armës bërthamore? Kjo ende nuk dihet me saktësi.

Ajo që mund të thuhet është se kanë një infrastrukturë bërthamore shumë më të avancuar se Iraku 30 vite më parë dhe që kërkon më shumë forca dhe armatim për t’u goditur. Nga ana tjetër sulmi mbi infrastrukturën bërthamore iraniane mbart më shumë rreziqe si ai mbi reaktorin Qairak, pasi avionët luftarakë duhet të kalojnë në vijat ajrore të disa vendeve si Jordani, Irak, Arabia Saudite apo Siria ku situata nuk është aspak e favorshme.

Disa analistë mendojnë se për kapacitetet e Izraelit është një sulm i papërballueshëm, ndërsa të tjerë mendojnë se aeroplanët izraelitë mund të godasin objektivat iraniane nëse i dinë se ku ndodhen të gjitha, pra plani i sulmit duhet të jetë i përkryer.

Para se të mbërrinte në Uashington, kryeministri izraelit i bëri thirrje Iranit që të ç’montonte fabrikën e pasurimit në një shpat mali afër qytetit të shenjtë Qum, duke lënë kështu të nënkuptohej se shërbimet sekrete të vendit të tij i kanë të gjitha informacionet.

Por, analistët thonë se kjo fabrikë, ndryshe nga ajo e pasurimit të uraniumit pranë qytetit Esfahan, mund të jetë e papërshkueshme nga bombat që ka Izraeli.

Për analistët, një gjë është e qartë edhe në këtë rast. Një sulm ndaj Iranit do të pezullonte për disa kohë programin bërthamor, por jo se do ta ndalonte atë.

Shtetet e Bashkuara janë duke kërkuar një zgjidhje të përhershme, që është në interes të sigurisë kombëtare dhe të komunitetit ndërkombëtar. Një zgjidhje e tillë do t’i interesonte dhe Izraelit, “që nuk mund të tolerojë një armë bërthamore në duart e një regjimi që mohon holokaustin, kërcënon për fshirjen e Izraelit nga harta dhe sponsorizon grupet terroriste për të shkatërruar Izraelin”.

Si do të reagonte Irani?

Për autoritetet iraniane një sulm izraelit në republikën islamike do ta drejtojë drejt kolapsit shtetin hebre.

Autoritetet iraniane kanë paralajmëruar në të kaluarën se Teherani do t’i përgjigjet me raketa sulmit të përfolur izraelit. Kjo mund të shfrytëzohet nga grupet anti-izraelite Hezbollahu në Libanon dhe Hamas në Palestinë që të lëshojnë raketa në shtetin hebre, që njëherazi nënkupton dhe një krizë të çmimit të naftës duke goditur objektet në Gji.

Irani “mburret” se ka një arsenal raketash me shtrirje 1250 mile (2000 kilometra) që janë specifikuar për objektet e Izraelit dhe SHBA-së në Gji.

Garda Revolucionare, forca ushtarake më e fuqishme e Iranit dhe e ngarkuar për programin e raketave në vend, ka kërcënuar se do të përdoren raketa në rast të sulmit të Iranit. Drejtuesit e saj kanë thënë se posedojnë raketa me një shtrirje edhe më të madhe se 2000 kilometra, por që tani për tani nuk i shohin të nevojshme t’i përdorin.

Izraeli, Siria dhe Irani

Izraeli është një vend fqinj me Sirinë e përfshirë prej një viti nga protestat kundër regjimit të Presidentit Bashar al-Assad, i cili ka mbështetjen e Iranit. Mendimi që mbizotëron sot në Izrael është se Assad duhet të largohet jo vetëm se ka vrarë mijëra civilë, por edhe sepse ai është një element qëndror i rrjetit iranian anti-izraelit, që përfshin grupimin Hezbollah në Libanon dhe grupet Hamas dhe Xhihad në Palestinë.

Zyrtarë izraelitë kanë deklaruar se Irani është duke investuar shumë në përpjekjet për të shpëtuar regjimin e Assad. Nëse thyhet aleancë e Iranit, Sirisë dhe Hezbollah, kjo do të jetë shumë pozitive.

Por qeveria izraelite dhe analistët e inteligjencës besojnë se ka më shumë të ngjarë që rezultati në Siri të jetë kaosi. Për më tepër, siç janë shprehur ata, asnjë fuqi e huaj nuk ka shprehur gatishmërinë për të ardhur në Siri, sikurse ndodhi në Afganistan dhe Libi, dhe se opozita siriane është e përçarë.

Zyrtarët izraelitë dhe analistët e inteligjencës janë të shqetësuar edhe rreth rritjes së prezencës të Al Qaeda në Siri dhe mundësisë se depot e armëve mund të përfundojnë në duart e Hezbollah dhe grupeve të tjera anti-izraelite.