Lajme Shqip Friday, 02 December 2011 13:15

Londër-Organizata ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, Amnesty International, kërkon sërish arrestimin e ish presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush për shkelje të të drejtave të njeriut dhe torturave të kryera ndaj të dyshuarve për terrorizëm.

Amnesty International deklaron se rasti më I mirë është pikërisht vizita e tij në Etiopi, Tanzani dhe Zambia. Ish presidenti Bush mbërriti sot në Lusaka  mes thirrjeve të kësaj organizate për arrestimin e tij. Gjatë këtij udhëtimi që ka për qëllim rritjen e vetëdijes për çështjet shëndetësore, Bush do të vizitojë klinikat e Sidës dhe një spital për kurimin e kancerit.

Por udhëtimi I tij afrikan, është zbehur pikërisht nga thirrjet e Amnesty International për shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa ishte president për dy mandate në vitet 2001-2009, Bush autorizoi përdorimin e disa metodave dhe teknikave hetimi të cilat Amnesty dhe grupe të tjera të të drejtave të njeriut i konsiderojnë tortura. Në shkurt të këtij viti, Bush u detyrua të anullojë në minutën e fundit një vizitë në Zvicër pikërisht për shkak të kërcënimit se mund të arrestohej. Bush ka mbrojtur përdorimin e këtyre metodave siç është ajo me ujë që stimulon ndjesinë e mbytjes, për ekstremistët e kapur si çelës për të parandaluar përsëritjen e sulmeve të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. (LajmeShqip.com)