Lajme Shqip Sunday, 19 August 2012 14:18

Londër -(PLOTESUAR 19 GUSHT 19:15)- Themeluesi i faqes Wikileaks, Julian Assange akuzoi Shtetet e Bashkuara se po merren me gjueti shtrigash. Ai i bëri komentet sot, në shfaqjen e tij të parë publike në dy muaj.

Para zotit Assange, avokati i tij Balthazar Garzon tha se themeluesi i faqes Wikileaks është i bindur se të drejtat e tij dhe të faqes së tij në internet duhet të respektohen.

Ndërtesa e ambasadës së Ekuadorit në Londër është e rrethuar nga forcat policore britanike, të cilat kanë dhënë urdhër për ndalimin e menjëhershëm të Julian Assange nëse del nga territori i ambasadës ekuadoriane.
                                           
Britania ka deklaruar se nuk do të garantojë udhëtimin e sigurt të Julian Assanget jashtë territorit të saj, duke këmbëngulur se ajo do të zbatojë ligjin për ta ekstraduar atë në Suedi, në bazë të një urdhër arresti europian të lëshuar për të .

Nëse Assange del jashtë territorit  të ambasadës ekuadoriane, ai do të arrestohet menjëherë nga autoritet britanike, që e mbajnë të rrethuar ndërtesën e ambasadës.

Julian Assange ka frikë se Suedia mund ta ekstradojë në Shtetet e Bashkuara ku ai mund të përballet me akuzat që kanë lidhje me publikimin në faqen e tij Wikileaks të qindra mijëra dokumentave sekrete, mes tyre edhe komunikimet diplomatike të Shteteve të Bashkuara në lidhje me luftërat në Irak dhe Afganistan. (LajmeShqip.com)

**************************************

Londër – Themeluesi i “Wikileaks”, Julian Assange, do të bëjë një dekratë publike pasditen e së dielës, e para që prej incidentit diplomatik të shkaktuar nga strehimi i tij në ambasadën e Ekuadorit në Londër.

Më parë gjatë javës, shteti i Amerikës së Jugut pranoi kërkesën e 41-vjeçarit për azil politik, duke argumentuar se nuk kishte garanci për respektimin e të drejtave të tij njerëzore në rast ekstradimi në Suedi apo riekstradimi të mundshëm në SHBA.

Vendimi i Kuitos ngjalli tërbimin e autoriteteve britanike, që rrethuan ambasadën dhe kërcënuan se do të ndërhyjnë me forcë. Një gjykatë britanike kishte pranuar më parë kërkesën e autoriteteve suedeze për dërgimin e tij në vendin skandinav, ku ai përballet me dy akuza përdhunimi.

Vetë Assange nuk i ka pranuar kurrë këto akuza dhe së bashku me mbështetësit e tij, i kanë konsideruar ato si të stisura për të dëmtuar punën e “Wikileaks”. Uebsajti në fjalë, që prej vitit 2009, publikon dokumenta të rezervuara të administratës amerikane, duke nxjerrë në sytë e opinionit publik shumë skandale dhe ngjarje delikate në të gjithë botën.

Nëse Assange do të ekstradohet një ditë në SHBA, ai mund të përballet atje me akuza spiunazhi, të dënueshme në bazë të legjislacionit amerikan deri me dënim me vdekje.(LajmeShqip.com)