Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 14:44

Alpha Bank do të heqë dorë nga kontrolli i plotë mbi filialet e saj në Europën Juglindore dhe për këto degë do të krijojë një shoqëri të re, në partneritet me Bankën Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim, BERZH.

Sipas informacioneve të publikuara nga shtypi grek, BERZH do të blejë 30% të aksioneve në kompaninë e re që do të ketë në pronësi degët e Alpha Bank në Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Rumani dhe Ukrainë.

Vlera e operacionit nuk bëhet e ditur, por ky vendim është marrë për të kufizuar ndikimin e problemeve të thella që po kalon grupi grek në degët jashtë vendit. Në fund të vitit të kaluar, Alpha Bank u bashkua me EFG Eurobank, në përpjekje për të kaluar goditjet e rënda që sistemi bankar grek ka marrë nga kriza që përfshirë vendin.

Këto probleme kanë pasur ndikimin e tyre edhe te degët jashtë Greqisë. Mundësitë e grupit pë rtë mbështetur degët rajonale me linja financimi dhe kapital shtesë janë reduktuar ndjeshëm, çka ka bërë që për të garantuar soliditetin e këtyre bankave Alpha të hyjë në partneritet me BERZH.

Alpha Bank Shqipëri nuk i ka publikuar ende rezultatet financiare për vitin 2011, ndërkohë deri në fund të 9-mujorit pati deklaruar humbje në afro 1.2 miliardë lekë dhe tkurrje të portofolit të kredisë me rreth 10%.