Lajme Shqip Saturday, 09 April 2011 17:49

Ohër – Pas takimit me presidentin e KE-së, lideri i BDI-së AliAhmeti ka vlerësuar se njëra nga temat më të rëndësishme që kanë biseduar ka qenë zgjidha sa më e shpejtë e çështjes së emrit.

”Do ta kisha veçuar porosinë më të rëndësishme të Barosos sa i përket çështjes së emrit, ishte i qartë se ne nuk duhet të vonohemi për ta zgjidhur atë, sepse është me rëdësi për qytetarët, stabilitetin, sigurinë dhe zhvilimin ekonomik. Por, e gjithë kjo sigurisht që varet nga faktori vendor, ndihma e tyre nuk do të mungojë por ne sigurisht që do të gjejmë forca dhe guxim për ta zgjidhur kontestin. Sa i përket MKO-së dhe implementimit të mëtutjeshëm dhe në veçanti frymës së marrëveshjes, ai kishte interes për zgjedhjet, punën dhe kontributin e partive politike, ndërsa me rëndësi për BE është që zgjedhjet të jenë të lira fer dhe demokratike. Si lider i BDI-së e sigurova Baroson se partia jonë do të ndërmerr të gjitha masat e duhura që zgjedhjet të jenë fer dhe demokratike”, ka thënë Ahmeti pas takimit me Baroson.

Lideri i LSDM-së Branko Cërvenkovski pas takimit me Baroson mes tjerash ka thënë se nuk ka biseduar për bojkotin e partisë së tij, por për çështjet kyçe të cilat vendi nuk shënon përparim.

”Në mbledhje nuk folëm për bojkotin, por ju e dini qëndrimin e të gjithë atyre që na kanë vizituar qoftë në emër të SHBA-ve e BE-së apo dhe ambasadorët e tjerë se nuk e përkrahin bojkotin, por në rastin tonë e kam përshtypjen se ata i kuptojnë arsyet tona të bojkotit. Nga ata tjetër nga ata dëgjova shumë mesazhe të rëndësishme për reformat e ngecura në gjyqësorin, administratën si dhe lirisë së kufizuar të mediave”, ka thënë Cërvenkovski duke potencuar se e ka informuar Baroson për indikatorët të cilët i bëjnë zgjedhjet jo demokratike.

”Atmosferën e zgjedhjeve e bëjnë jodemokratike duke filluar nga gjendja e medieve, krediti i parave prej 220 euro i cili do të shfytëzohet kryesisht për periudhën parazgjedhore dhe korrupsion në vend që të shfrytëzohen për kohë të vështira ruar, si dhe fakti që për herë të parë pa konsenzus partiak caktohen rregullat e zgjedhjeve”, ka thënë Cërvenkovski.
Nga ana tjetër, presidenti i shtetit Gjorge Ivanov gjatë një ligjeratës së tij para studentëve në Ohër ku ishin prezent Baroso dhe Fyle ka thënë se tërheqja e emërtimit të gjuhës maqedonase në Rezolutën e fundit të Parlamentit Evropian është përtej të gjitha rregullave dhe normave.

”Edhe unë sikurse qytetarët e Maqedonisë ndjehem shumë i shqetësuar me emërtimi i gjuhës maqedonase në Rezolutë si ‘gjuhë shtetërore’, ‘gjuhë zyrtare’ dhe ‘gjuhë vendase’. Jam i sigurt se ju si kryetar i Komisionit Evropian dhe si një njeri që është angazhuar fort në parimet e respektimit të diversitetit kulturor dhe gjuhësor evropian, nuk është e nevojshme t’u bindim, se gjuha në të cilën unë ju drejtohem tani është maqedonase. Prandaj u bëj thirrje si një personalitet, që e di, se është i angazhuar thellësisht në respektimin e identitetit, kulturës dhe gjuhës, të ndërmerrni hapa për të tejkaluar këtë qasje krejtësisht të padrejtë ndaj Republikës së Maqedonisë dhe qytetarëve të saj”, ka thënë Ivanov.