Lajme Shqip Wednesday, 03 August 2011 21:00

Shkup – Nga viti i ardhshëm, Zajazi, Osllomeji, Vraneshnica e Drugova do t’i bashkëngjiten Kërçovës, me ç’ gjë edhe do të ndryshojë përkatësia dominante etnike e qytetit, mëson nga burimet brenda BDI-së Portali Lajmeshqip.com.

Me këtë, Kërçova përfundimisht mbetet komunë me dominim të shqiptarëve. Ky, sipas burimeve brenda ekipit negociues mes BDI-së dhe VMRO-së, ka qenë një vendim nga i cili Ahmeti nuk ka ditur kthim prapa, pra as që ka dashur të tërhiqet.

“Ekipi negociues i VMRO-së ka kërkuar nga ana jonë bashkëngjitjen e këtyre katër komunave ta anulojmë në vitin 2017, por ne ia kemi prerë menjëherë se Kërçova nuk është objekt i negociatave dhe këtu nuk ka shans që të lëshojmë pe”, ka thënë funksionar i lartë i BDI-së.

Sipas të njëjtit burim, negociuesit e Ahmetit kanë rikujtuar kolegët e VMRO-së se gjatë formimit të qeverisë në 2008, BDI ka lëshuar pe në shenjë të vullnetit të mirë dhe besimit të ndërsjellë midis partnerëve të koalicionit dhe në vend të 2009-s, sipas ligjit të ndarjes territoriale, bashkëngjitja e këtyre komunave të ndodhë pas 4 viteve, pra në vitin 2013. Përveç kësaj nënkupton se edhe kryetarët e komunave do të jenë nga bashkësitë më të mëdha etnike. Ndryshe, pas Strugës, Dibrës, Gostivarit e Tetovës, që me ndarjen territoriale nga viti 2005 janë me dominim të shqiptarëve, nëse përmbushet edhe kjo me Kërçovën, atëherë do jetë kjo komuna e pestë e qytetit me dominim të shqiptarëve. (LajmeShqip.com)