Lajme Shqip Friday, 30 December 2011 14:00

Tripoli-Krerët e Al Kaedës kanë dërguar ekspertët e tyre në Libi për të garantuar praninë e organizatës terroriste në vend.

Lajmi raportohet nga rrjeti amerikan CNN, i cili i referohet një burimi libian që thotë se mes xhihadistëve që kanë mbërritur është edhe një veteran i Al Kaedës i arrestuar më parë në Britaninë e Madhe për terrorizëm.

Sipas të njëjtit burim, ai është dërguar direkt nga kreu i organizatës, Zawahri që në muajin maj, pikërisht atëherë kur Gadafi nisi të humbte kontrollin e vendit dhe ka punuar për të rekrutuar njerëz për Al Kaedën në kufirin me Egjiptin.

Për momentin mësohet të ketë mbledhur rreth 200 luftëtarë. I njëjti burim thotë se një tjetër eksponent i lartë i Al Kaedës me nënshtetësi europiane dhe libiane po përpiqet të vendosë një urë lidhëse mes organizatës dhe Libisë.

Burimi libian i cituar nga rrjeti televiziv thotë se është informuar nga funksionarë perëndimorë të anti terrorizmit.

“Veterani” i terrorit për të cilin flet CNN, përshkruhet si një njeri i dedikuar totalisht ndaj kauzës së Al Kaedës dhe operacioneve kundër interesave amerikane nëpër botë. (LajmeShqip.com)