Lajme Shqip Monday, 25 April 2011 13:34

Londër – Al Kaeda ka përgatitur dhe ka fshehur në Evropë bombë bërthamore, që mund të aktivizohet menjëherë, nëse udhëheqësi i këtij rrjeti terrorist Osama bin Laden kapet, rrëmbehet ose vritet, zbulon Uikilks, duke i publikuar dokumentet e fshehta amerikane për marrjen në pyetje të 700 të burgosurve në bazën e SHBA-së, Guantanamo, në Kubë.

Sipas disa komandantëve të Al Kaedës, janë planifikuar seri sulmesh kundër Perëndimit, por edhe “stuhi ferri” e vërtetë  bërthamore nëse i ndodh çfarëdo qoftë Bin Ladenit, duke pohuar për herë të parë se të burgosurit në bazën ushtarake amerikane janë njerëz të rrezikshëm, si dhe se ata të agjencive të zbulimit dhe të forcave të sigurisë së SHBA-së u kanë dhënë një sërë të dhënash dhe informacionesh të rëndësishme.

Rreth 220 prej tyre janë vlerësuar si njerëz jashtëzakonisht të rrezikshëm, mes të cilëve 100 terroristë të Al Kaedës, duke i konsideruar mes tyre edhe 15 komandantë të lartë të kësaj organizate terroriste, njofton korespondenti i MIA-s nga Londra. Mes tyre si më i rëndësishëm theksohet Haled Seik Mohamed, komandant i Al Kaedës dhe planifikuesi kryesor i sulmeve terroriste të 11 shtatorit të vitit 2011.

Zbulimet që i ka publikuar Uikiliks në internet faqen e vet, tregojnë se 380 të burgosur në Guantanamo kanë qenë pjesëtarë “të ranguar ulët” të organizatave dhe grupeve militante islamike, kryesisht të ndërlidhur me talebanët ose me grupacionet paraushtarake ekstremiste në Afganistan, të cilët janë hasur në “vende të rreziksme” të ndërlidhura me operacione ushtarake, gjatë kapjes, por për qindra njerëz që janë ruajtur në burgun e bazës në Kubë, hetuesit amerikanë pranojnë se janë njerëz të pafajshëm, fermerë të rekrutuar, gjellëbërës ose shoferë.

SHBA-ja ka mbledhur “informacione vitale” nga njerëzit që janë grumbulluar, kryesisht në Afganistan dhe Pakistan, e pastaj përmes vendeve të ndryshme, ku janë marrë në pyetje, përfunduan në burgun e Guantanamos. Kjo shkaktoi zemërim mes popullatës myslimane në Lindjen e Afërt, si dhe mosdakordim të thellë në Evropë, rreth trajtimit dhe mbajtjes së gjithë atyre njerëzve, pa u ngritur aktakuzë, ose nxjerrë para gjyqit.