Lajme Shqip Monday, 26 March 2012 15:53

Shkup-Pas akuzave që zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, ia bëri klasës politike në Kosovë se gjoja po përzihen në punët e brendshme të Maqedonisë, ka reaguar PDSH-ja, duke e cilësuar deklaratën e Xhaferit skandaloze.

“Është deklaratë skandaloze e një shpirti të shitur që përfaqëson një subjekt të shitur. Kjo deklaratë në fakt tregon gjendjen e mjerueshme në të cilën gjendet BDI-ja si dhe për gjendjen e mjerueshme në të cilën ky subjekt politik i ka sjellë shqiptarët e Maqedonisë”, tha Imer Aliu- nënkryetari i PDSH-së dhe Koordinatori i grupit parlamentar.

Duke folur në një konferëncë shtypi Aliu ka thënë se Xhaferit nuk i pengon shtypja, diskriminimi, rrahja e vrasja e shqiptarëve nga ana e Qeverisë, në të cilën për fat të keq ai i përfaqëson shqiptarët, “por zotëriut i penguaka reagimi i shqiptarëve ndaj vrasjeve dhe rrahjeve të përditshme”.

“PDSH prej momentin kur filluan incidentet ndaj shqiptarëve kërkoi intervenimin e qeverisë së Shqipërisë dhe Kosovës. Bashkëpunimi dhe përkujdesja ndërmjet veti e shqiptarëve historikisht e ka ndihmuar mbijetesën e tyre”, ka thënë Aliu.