Lajme Shqip Saturday, 16 April 2011 11:41

Lubjanë – Deputeti në Parlamentin Evropian i angazhuar për Evropën Juglindore, Jellko Kacin deklaroi se nuk beson se për shkak të gykimit të gjeneralëve kroatë do të rrezikohet anëtarësimi i ardhshëm i këtij shteti në BE-, si dhe se ky aktgjykim Serbisë i ka dërguar mesazh të qartë se statusin e kandidatit mund ta marrë vetëm me bashkëpunim të plotë me Gjykatën e Hagës.

Duke komentuar aktgjykimin e shqiptuar në Hagë për Ante Gotovinën dhe Mlladen Markaçin, Kacin për televizionin slloven mbrëmë theksoi se gjenerali Ivan Çermak është liruar, që dëshmon se ai nuk ka marrë pjesë në intervenimin kriminel për shkak se ai nuk ka qenë midis planifikuesve të aksionit në takimin në Brioni.

Kacin vlerësoi se vendimi eventual që Kroacia të mos hyjë në BE negativisht do të ndikonte ndaj të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke i kthyer “dhjetë vite prapa”, ndërsa me anëtarësimin e Kroacisë në BE “hapet perspektiva për anëtarësimin edhe të shteteve të tjera në rajon dhe për rimëkëmbjen e tyre ekonomike”.