Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 09:17

Gjenevë- Njëzet e tetë belgë, 22 prej të cilëve fëmijë, humbën jetën mbrëmë në një fatkeqësi komunikacioni në Zvicër, kumtoi policia lokale.

Fatkeqësia ndodhi kur autobusi me targa belge doli nga rruga, nga deri më tani arsye të panjohura dhe u përplas në murin e tunelit në kantonin Vale, në kufi me Italinë. Fatkeqësia ndodhi mbrëmë rreth orës 21 sipas kohës lokale.

Me autobusin udhëtonin 52 persona, përkatësisht dy klasë me nxënës nga qytetet Lomel dhe Heverle, nga pjesa flamane e Belgjikës. Nxënësit, të moshës 12-vjeçare, ktheheshin në Belgjikë nga pushimi dimëror në Val dAnavie, pushimore skijimi në Vale, kumtuan mediumet franceze.

Në operacionin e shpëtimit morën pjesë 60 zjarrfikës, 15 mjekë, 100 shpëtues, 12 automjete të ndihmës së shpejtë, tetë helikopterë. Në vendin e fatkeqësisë janë dërguar psikologë, të cilët do t’i shoqërojnë familjarët e viktimave gjatë arritjes së tyre.

Ambasadori i Belgjikës në Zvicër urgjentisht shkoi në vendin e tragjedisë. “Kjo dramë do ta shqetësojë tërë Belgjikën. Asnjëherë nuk kam përjetuar diçka të ngjashme. Madhësia e fatkeqësisë është e rëndë për t’u pranuar”, deklaroi ambasadori, i cituar nga mediumet franceze.

Sipas udhëheqësit të shërbimit shpëtimtar të kantonit, të gjithë pjesëmarrësit në aktivitetet e shpëtimit kanë qenë të shokuar nga përjetimi. Autobusi që u përplas në tunel, udhëtonte së bashku m dy autobusë të tjerë, të cilët tashmë janë kthyer në Belgjikë. Kjo është një nga fatkeqësitë më të rënda të komunikacionit në Zvicër. (LajmeShqip.com)