Lajme Shqip Sunday, 28 August 2011 15:56

Shkup – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) Ali Ahmeti në një iftar të përbashkët me gazetarët ka vlerësuar se statusi i UÇK-së është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe se do të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese.

“Një pjesë e ish-luftëtarëve janë inkorporuar nëpër institucione. Kërkohet zgjidhje për personat e palëvizshëm dhe synohet të zgjidhet në kuadër të ligjeve ekzistuese. UÇK-ja është Marrëveshja e Ohrit dhe besoj se me këtë gjithçka është e qartë”, ka thënë ai. Raportet me VMRO-DPMNE-në, ai i ka vlerësuar shumë ë të avancuara në krahasim me Qeverinë e kaluar.

“E para është se ne kemi platformë të përbashkët për qeverisje, ne kaluam ligjin për gjuhët, flamurin e amnistinë dhe e gjithë kjo flet për një besim dhe nismë të mbarë të kërkesave shqiptare dhe të BDI-së. Për dallim prej tre viteve të kaluara tani njihemi më mirë mes veti dhe raportet mes përfaqësuesve tanë dhe të VMRO-DPMNE-së janë shumë më të mira”, ka thënë Ahmeti.

Ai është treguar i ashpër duke komentuar iniciativat e parashtruara në Gjykatën Kushtetuese për vlerësimin e kushtetutshmërisë së Interpretimit autentik të Ligjit për amnisti. Ahmeti ka rikujtuar se amnistia është obligim që daton nga lufta e vitit 2001.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e abrogon Interpretimin autentik të Ligjit për amnisti, do të rrënohet edhe Ligji për amnisti që u soll në vitin 2002. Mos të harrojmë se Ligji për amnisti ishte një nga kushtet që ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare të pranojnë ndërprerjen e luftës”, ka shtuar Ahmeti.

Duke folur për çështjen e emrit, Ahmeti tha se nuk mund të garantojë se kjo çështje mund të zgjidhet gjatë mandatit katërvjeçar të kësaj Qeverie.

“Të gjithë në Maqedoni por edhe Gruevski e ka të qartë rëndësinë e zgjidhjes së çështjes së emrit, mirëpo nuk mund të caktohen terminë të sakta kohore”, ka shtuar Ahmeti, duke shtuar se fokusimi i bashkësisë ndërkombëtare në Kosovë në muajt e fundit nuk do të reflektohen negativisht në zgjidhjen e çështjes së emrit.

Ahmeti ka thënë se ende nuk është takuar me Gruevskin pas mungesës së kryeministrit në shënimin e dhjetëvjetorit të Marrëveshjes së Ohrit. Por shtoi se nuk bëhet fjalë për ftohje të raporteve mes tyre por se nuk ka pasur ndonjë rast për tu takuar dhe vlerëson se prezenca e presidentit Ivanov në shënimin e kësaj marrëveshje tregon qartë respektin e institucioneve ndaj saj.

Ai ka mbrojtur tezën se ndarja e Kosovës do të ishte e rrezikshme për tërë rajonin duke përfshirë edhe Maqedoninë dhe këtë konstatim të vetin e mbështeti edhe në deklaratat e përfaqësuesve më të lartë amerikan dhe evropianë. (LajmeShqip.com)