Lajme Shqip Saturday, 10 September 2011 19:49

Shkup – Lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti ka thënë se në të ardhmen e afërt mund të ndodhë që Maqedoninë ta drejtojë një kryeministër apo president shqiptar. Sipas tij, është shumë normale që pas disa viteve të bisedohet për kryeministër ose president të shtetit.

“Mendoj se është e rëndësishme që të dërgohet një mesazh, posaçërisht tek qytetarët maqedonas se ky shtet është edhe i shqiptarëve”, ka thënë Ahmeti për mediat maqedonase.

“Ndoshta para disa viteve nuk mund të paramendohej një shqiptar të jetë ministër i mbrojtjes. Por, ja që edhe kjo ndodhi. Nuk dua të parashikoj se çfarë do të ndodhë pas 4-5 viteve, por gjithçka do të varet nga zhvillimet e proceseve politike në shtet dhe dialogut mes partnerëve politik. Sipas tij, Maqedoninë të gjithë duhet ta ndërtojmë, ta ndejmë si tonën dhe ta respektojmë, sepse qëllimi jonë i përbashkët është, që në këtë shtet të  jetojmë së bashku. Kështu që do të jetë jo relevante ka shtuar Ahmeti, përkatësia etnike e bartësit të pozitës së kryeministrit apo presidentit, nëse punon për të mirën e të gjithë qytetarëve. Ahmeti ka përmendur rastin e fundit të ministrisë së mbrojtjes të cilën e drejton një kuadër shqiptar nga radhët e BDI-së.

Ndryshe, në Kongresin e fundit të BDI-së ai ka shtruar si kërkesë që shqiptarët njëherë të drejtojnë disa nga 12 postet me peshë në shtet, si kryeministrinë, presidencën, MPB-në, Mbrojtjen, Financat, kryetarin e Parlamentit dhe tjerat. (LajmeShqip.com)