Lajme Shqip Saturday, 15 June 2013 15:49

Shkup -Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti për DW ka sqaruar se pse e ka ndërmarrë këtë ofensivë diplomatike që pas SHBA-së tani po qëndron në Gjermani.

“Me koalicionin qeverisës kemi mirëkuptim se duhet të gjendet kompromis me palën greke rreth çështjes së emrit. Ne si shqiptarë i kemi informuar të gjithë partitë e palës maqedonase se me cilët emra nuk pajtohemi. Nuk pajtohemi që vendi të quhet Republika Sllave e Maqedonisë, as Republika Nacionale e Maqedonisë, por as edhe të mbetet emri Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë”, ka thënë Ahmeti.

“Çdo kompromis tjetër për ne është i pranueshëm. Si për shembull Republika Maqedonia e Epërme, Republika e Maqedonisë së Veriut etj. Aktualisht ka një propozim nga ndërmjetësuesi Nimetz dhe për këtë arsye BDI është këtu dhe ka ndërmarrë këtë aktivitet diplomatik, pasi konsiderojmë se tani janë shanset që palët të ulen në tryezën e përbashkët. Megjithatë, unë nuk jam optimist se kjo do të zgjidhet në qershor, në mënyrë që të marrim datën e fillimit të negociatave për anëtarësim në BE”, tha Ahmeti.

Në pyetjen se ekzistojnë teza të ndryshme se të gjithë shqiptarët e Ballkanit duhet të jetojnë në një shtet të përbashkët siç është Shqipëria e Madhe, Ahmeti ka thënë:

“Projekti i Shqipërisë së Madhe është i lindur në qendrat e mëdha serbe të Millosheviqit, me qëllim që të hidhet poshtë kërkesa legale e shqiptarëve, të cilët atëherë kanë jetuar në ish-Jugosllavi”.

“Prioritet e shqiptarëve që jetojnë në Maqedoni janë që të implementohet tërësisht Marrëveshja e Ohrit, integrimi i vendit në NATO dhe BE, zhvillimi ekonomik dhe ndërtimi i marrëdhënieve të shëndosha ndëretnike ndërmjet të gjithë atyre që jetojnë në Maqedoni: maqedonas, shqiptarë, vlleh, turq, romë, boshnjakë etj”.

Ahmeti dje në Berlin ka pasur një takim në MPJ-në e Gjermanisë, kurse ka biseduar edhe me Dr. Hojsgen, njërin prej bashkëpunëtorëve më të afërt të politikës së jashtme të kancelares Angela Merkel.