Lajme Shqip Friday, 16 March 2012 13:45

Shkup-Kreu i BDI, Ali Ahmeti ka takuar dje komisionerin europian të zgjerimit Shtefan Fule, i cili vizitoi Maqedoninë me rastin e nisjes së dialogut për fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

E ndërsa pa dyshim, kjo përbën një arritje pozitive për Maqedoninë, është e papranueshme që një lider politik shqiptar, që për më tepër bën pjesë në koalicionin qeverisës të Maqedonisë të mos thotë asnjë fjalë për dhunën e ditëve të fundit që kanë pësuar shqiptarët në Maqedoni.

Madje Ahmeti është zëri zyrtar i shqiptarëve në Maqedoni, dhe pikërisht ai personi që i përfaqëson ata në ekzekutivin e vendit dhe në parlament duke qënë pjesë e mazhorancës.

Por në takimin me Fule, Ahmeti thjesht ka vlerësuar dialogun e nivelit të lartë duke thënë se ai nënkupton edhe fillimin e negociatave për anëtarësim në BE.

“Hapja e dialogut thelbësor, ka edhe rëndësinë simbolike dhe është një porosi që të mos humbet besimi për përparimin e procesit të vendit drejt BE-së, por paraqet edhe motiv për të gjithë për të punuar më shumë”, theksoi Ahmeti.

Sipas tij, të gjitha institucionet duhet të plotësojnë detyrimet e tyre që rrjedhin nga ky dialog paraqasës”, theksoi kryetari i BDI-së. (LajmeShqip.com)