Lajme Shqip Wednesday, 14 November 2012 19:15

ROME – Sikur të mos mjaftonin nacionalistët italianë nga brenda vendit, tani ka nga ata që importojnë rryma fashiste ksenofobe nga jashtë Italise.

Është online prej disa ditësh siti Albadorataitalia.com, që lajmëron hapjen e një seksioni italian të partisë me të njëjtën emër të të djathtës ekstremiste greke. E njësoj si partia mëmë greke, ka zgjedhur një emblemë si shenjë dalluese, duke u munduar ta kalojë si “simbol të njohur nga Greqia, djep i qytetërimit europian”, shkruan “Shqiptari i Italisë”.

Gazetari Marco Pasqua, ekspert i rrymave neofashiste, shkruan në Huffingtonpost që themeluesi i “Alba Dorata Italia” është një ish militant i “Forza Nuova”. Quhet Alessandro Gardossi, 44 vjeçar nga Trieste, i vetëshpallur sekretar politik italian”, edhe pse në faqet internet nuk shfaqet asnjë emër, por vetëm një kod fiskal me të cilin partia e re duhet të jetë regjistruar në Agjencinë e Tatim Taksave të Triestes.

Ndërkaq, ka nisur fushata e anëtarësimit. Programi i partisë nuk ndryshon shumë nga ai i grupimeve të tjera të të djathtës ekstreme. Emigracioni i konsideruar “një pushtim tmerrësisht i programuar”, me propozime që shkojnë nga “Jo shtetësi me ius soli” në përdorimin e ushtrisë “për mbrojtjen e atdheut nga imigracioni i pakontrolluar”, duke kaluar nëpër “kampet e rehatshme dhe njerëzore të mbledhjes së refugjatëve afrikanë në Libi dhe patrullimet e Mesdheut”.(Shqiptari i Italisë/LajmeShqip.com)