Lajme Shqip Monday, 09 April 2012 20:00

New York – Ushtarët amerikanë kanë hequr dorë nga drejtimi i operacioneve që ndërmerren gjatë natës në Afganistan kundër kryengritësve talebanë, të cilët vazhdojnë të jenë aktivë kryesisht në jug dhe lindje të vendit. Operacione të tilla do të vendosen dhe drejtohen këtej e tutje nga forcat afgane.

Marrëveshja e firmosur të dielën nga Ministri afgan i Mbrojtjes Abdul Rahim Wardak dhe komandanti i forcave amerikane në Afganistan, gjeneral John Allen, shihet si një moment historik në procesin e vendosjes së sovranitetit në Afganistan, dhjetë vjet pasi SHBA dhe aleatët ndërhynë për rrëzimin e talebanëve nga pushteti dhe që tashmë po punojnë së bashku me afganët për ndërtimin e një shteti ligjor.

Zyrtarët e dy vendeve e përshkuan këtë marrëveshje si një konfirmim se pas një dekade bashkëpunim dhe trajnim nga aleatët, forcat afgane të ushtrisë dhe sigurisë janë në gjendje të drejtojnë të vetme operacione të kategorive të vështira. Ushtarët amerikanë dhe aleatët e tyre që operojnë në Afganistan do të kenë një rol mbështetës në operacione e natës, vetëm nëse u kërkohet nga autoritetet e ligjshme afgane.

Deri tani mësymjet gjatë natës në bastionet e kryengritësve talebanë ndërmerreshin nga forcat ushtarake të SHBA dhe aleatët e tyre, por shpesh ato ishin kthyer në burim tensionesh mes qeverisë afgane dhe ushtrisë amerikane.

Shumë afganë në jug dhe lindje të vendit, zona që njihen si “streha” e terroristëve talebanë, akuzonin trupat e huaja për panik, dhunë dhe viktima gjatë operacioneve të natës.

Nga ana e tij, Presidenti i Afganistanit Hamid Karzai, i cili drejton vendin nga viti 2001 kur SHBA dhe aleatët dëbuan talebanët, u kishte bërë thirrje të vazhdueshme trupave të huaja që të mos përfshihen në mësymje të tilla, duke e quajtur këtë një shkelje të pastër të sovranitetit të vendit.

Kësisoj tërheqja e ushtarëve amerikanë nga drejtimi i operacioneve të natës duket si një marrëveshje e arritur në kushtet e presionit. Për më tepër që ajo firmoset pas disa incidenteve të shënuara gjatë këtij viti, mes të cilave vrasja e 16 civilëve afganë nga një reshter amerikan, ngjarje që shtoi thirrjet e Karzait për tërheqjen e trupave të SHBA-së nga terreni dhe mbledhjen e tyre nëpër baza.

“Marrëveshja është shenjë e progresit të tranzicionit dhe një tregues kyç i zgjerimit të aftësive operacionale të forcave afgane”, vlerësonte Pentagoni në një deklaratë për shtyp në emër të Sekretarit të Mbrojtjes Leon Panetta.

Edhe disa diplomatë të intervistuar nga media komentuan se aspekti më i rëndësishëm i marrëveshjes së fundit ishte se dy vendet mund të marrin hapin tjetër, atë për të përfunduar tranzicionin në Afganistan- largimin gradual të trupave të huaja dhe dorëzimin e përgjegjësive tek forcat e ushtrisë dhe sigurisë deri në fund të vitit 2014, sikurse ka vendosur administrata e Presidentit Obama.

Po më pas?
Për të ardhmen e Afganistanit do të flitet edhe një herë në samitin e Çikagos, që nis në 20 maj. Deri tani, Shtetet e Bashkuara kanë thënë se do të mbështesin qeverinë afgane edhe pas tërheqjes në vitin 2014, kryesisht përmes operacioneve të forcave speciale dhe operacioneve me aeroplanë pa pilot. Mbështetja do të shtrihet edhe në zhvillimin ekonomik dhe arsimor.