Lajme Shqip Friday, 30 November 2012 17:40

TIRANË- Ambasadori palestinez në Shqipëri, Issam Massalha ka reaguar sot në lidhje me votimin e djeshëm të OKB-së, ku Palestina u anëtarësua me statusin e vëzhguesit, pas përpjekjeve shumëvjeçare për t’u njohur nga kjo organizatë. 138 shtete votuan pro, 41 abstenim dhe vetëm 9 kundër vendimit për Palestinën.

Shqipëria ishte një nga vendet që abstenoi, ndërsa ambasadori deklaroi sot se prisnin një votë pro nga ana e Shqipërisë.

“Ne shpresonim në mbështetjen e qeverisës shqiptare. Shpresonim që Shqipëria të radhitej me ata që votuan pro”, thotë Massalaha, ndërsa nënvizon se pozicioni i zgjedhur nga Shqipëria nuk i zhgënjeu, edhe pse pritshmëritë i kishin për më shumë.

“Nuk jemi të zhgënjyer nga pozicioni i Shqipërisë. Populli mik shqiptar qëndron krah palestinezëve, për Palestinën kjo do të thotë një fitore e madhe”, tha ai

Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara ishin kundër vendimit që “de facto” e njeh Palestinën si shtet më vete. Palestinezët shpresojnë që statusi i ri në OKB të ndryshojë marrëdhëniet e tyre me Izraelin.

Më poshtë lexoni të plotë intervistën ekskluzive dhënë gazetares së News 24, Erjona Rusi. 

Çfarë domethënie ka kjo fitore për Palestinën dhe cili është hapi i radhës?
Për Palestinën dhe popullin e saj kjo do të thotë një fitore e madhe, do të thotë fitore e dëshmorëve të saj, do të thotë fitore e heronjve të lirisë të vendit të tij. Kjo është një fitore e së vërtetës, fitore e legjitimitetit ndërkombëtar. Kjo fitore, që u arrit me mbështetjen e njerëzve të lirë në botë, do të thotë triumf ndaj pushtimit racist të Palestinës, gjë që është e papranueshme për shekullin në të cilin jetojmë. Gjithashtu kjo është një fitore ndaj atyre shteteve të cilat vazhdojnë të mbështesin pushtuesit izraelitë, duke e konsideruar Izraelin mbi ligjet ndërkombëtare, në sajë të politikës me standarte të dyfishta, por që pa dyshim këto shtete ndjehen të izoluara ndërkombëtarisht.
Kjo fitore do të thotë një hap përpara ndaj konkretizimit të Shtetit të Palestinës. Përfitoj nga ky rast për të falenderur përzemërsisht të gjitha ato shtete që qendruan përkrah këtij vendimi dhe për ti shprehur atyre sigurimet tona se populli palestinez do t’u jetë gjithmonë mirënjohës për këtë mbështetje dhe do ti ruajë ato në mendjet dhe zemrat e tij. Përsa i përket hapit të radhës, pa dyshim që do të punojmë me të gjitha vendet e botës për konkretizimin e këtij vendimi dhe zbatimin e tij në realitet, gjë që do të arrihet duke respektuar ligjet ndërkombëtare dhe rrugët diplomatike, gjithashtu nëpërmjet negociatave me palën izraelite me qëllim ngritjen e dy shteteve (Palestinë-Izrael) në bazë të ligjeve ndërkombëtare , që të jetojnë në paqe dhe siguri përkrah njëri-tjetrit.

A është e zhgënjyer Ambasada e Shtetit të Palestinës me abstenimin e Shqipërisë në votim? Cili është komenti juaj?
Natyrisht që ne nuk jemi të zhgënjyer nga pozicioni i Shqipërisë në këtë votim, sepse ne jemi mëse të sigurt që populli mik i Shqipërisë qendron përkrah të drejtave të popullit palestinez për themelimin e shtetit të tij të lirë, sepse marrëdhëniet tona historike dhe miqësore me popullin bujar të Shqipërisë i kanë rrënjet thellë në histori dhe janë ndërtuar në bazë të respektit reciprok. Ne shpresonim që Qeveria Shqiptare ta shfrytëzonte këtë moment historik dhe të qendronte në radhën e shumicës dërmuese të shteteve të botës dhe shumicës së vendeve anëtare të BE-së dhe të Parlamentit Evropian, të cilët votuan në favor të Palestinës, pra, në favor të përfundimit të pushtimit Izraelit ndaj popullsisë palestineze. Ne gjithmonë kemi respektuar formulën e Shqipërisë, me të cilin ajo krenohet, si një nga vendet e vetme në Evropë, që nga njëra anë strehoi dhe mbrojti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe nga ana tjetër si vendi i Parë në Evropë që njohu Shtetin e Palestinës që në vitin 1988. Së fundi, me rastin e këtij momenti dhe date historike për pupullin e Palestinës, moment dhe datë e cila përkon edhe me përvjetorin e Clirimit të Shqipërisë, i drejtohemi popullit mik dhe bujar shqiptar me përshëndetjet tona më të ngrohta dhe përzemërta, duke i uruar atij zhvillim, prosperitet dhe realizim të të gjitha ëndrrave dhe aspiratave të tij për të ardhmen. Gjithashut shprehim sigurimet e konsideratës tonë më të lartë se marrëdhëniet tona me Qeverinë Shqiptare do të mbeten të forta, si marrëdhënie të cilat janë ngritur në bazë të respektit reciprok dhe respketit të vendimeve sovrane. Ne gjithmonë do të mbetemi pro zhvillimit dhe forcimit të marrëdhënieve miqësore midis dy vendeve dhe pupujve tanë.(B.W)