Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 21:18

Abixhan – Ish presidenti i Bregut të Fildishtë, Loran Gbagbo u dorëzua dhe kërkoi mbrojtje nga Kombet e Bashkuara, theksohet në një dokument intern të KB-së.

“Gbagbo u dorëzua dhe kërkoi mbrojtje nga forcat e KB-së, UNOCI”, thuhet në dokument, i cili i ishte ndarë të punësuarve në Organizatën botëore.

Gbagbo negocionte rreth mundësisë për dorëzimin e tij pas ofensivës së ashpër të forcave lojale ndaj rivalit të tij dhe fitues në zgjedhjet presidenciale të nëntorit, Alasan Uatara, të cilat ishin të mbështetura me sulme ajrore të helikopterëve të Francës dhe KB-së.

Presidenti amerikan, Barak Obama, sot paraprakisht i bëri thirrje Gbagbos që menjëherë të tërhiqet nga pushteti dhe t’i urdhërojë luftëtarëve të tij që ta dorëzojnë armën.

Obama theksoi se e përkrah rolin e forcave paqeruajtëse të Kombeve të Bashkuara, të cilët tentojnë t’i mbrojnë civilët dhe i përshëndeti përpjekjet e forcave franceze në përkrahjen e misionit paqeruajtës të KB-së.

Forcat e KB-së dhe të Francës dje i bombarduan rezidencën presidenciale dhe tre garnizone strategjike ushtarake, pasi bllokadat dhe përleshjet midis ithtarëve të Gbagbos dhe fituesit të zgjedhjeve Alasan Uatara në vend zgjasin tani më katër muaj.

Gjatë përleshjeve deri tani kanë humbur jetën më shumë se qindra persona, kryesisht ithtarë të Uataras, ndërsa miliona njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre, njoftojnë agjencitë.

Bregu i Fildishtë është ish-koloni franceze, e cila pavarësinë e vet e ka fituar në vitin 1960.