Lajme Shqip Friday, 04 January 2013 18:45

Gaza – Qindra mijëra mbështetës të fraksionit të liderit palestinez Mahmoud Abbas kanë mbajtur mitingje masive në Gaza për të shënuar 48-vjetorin e grupit Al Fatah.

Hamas, lëvizja që qeveris Gazën, u lejoi rivalëve të Fatah që të mbanin festimet atje për herë të parë që kur e rrëzoi këtë fraksion nga pushteti, 5 vjet më parë.

Dhënia e lejes për ditën e premte ka pasur si synim uljen e tensioneve mes dy palëve, raporton në edicionin e saj online BBC.

Muajin e kaluar, mbështetës të Hamas festuan themelimin e lëvizjes së tyre me një miting të rrallë në Bregun Perëndimor.

Hamas erdhi në pushtet në Gaza pasi fitoi zgjedhjet palestineze në vitin 2006 dhe duke spostuar Fatah nga kontrolli i enklavave në luftimet e ashpra të një viti më pas.

Në një fjalim të regjistruar dhe të transmetuar më pas në ekrane gjigante, presidenti Abbas tha: “Fitorja është e afërt dhe ne do të takohemi me ju në Gaza në një të ardhme të afërt”.

“Gaza ishte territori i parë palestinez që hoqi qafe pushtuesit izraelitë dhe kolonitë e tyre dhe ne tani duam ta heqim të gjithë bllokadën, në mënyrë që ajo të jetë e lirë dhe të lidhet me pjesën tjetër të kombit”, shtoi Abbas nga baza e tij në Bregun Perëndimor.

Turma të mëdha njerëzish, që mbanin në duar flamurin e verdhë të Fatah dhe portrete të presidentit Abbas, marshuan në Qytetin e Gazës për të përkujtuar edhe sulmin e parë të lëvizjes ndaj Izraelit.(T.CH/LajmeShqip.com)