Lajme Shqip Friday, 26 October 2012 17:36

Romë – Veç 4 viteve burg, ish-kryeministri u dënua edhe me 3 vite qendrim larg zyrave publike si dhe një gjobë të majme prej 10 milion eurosh. Gjithçka lidhej me parregullsitë e gjetura me shit-blerjet e të drejtave televizive nga Mediaset.

Sipas vendimit të gjykatës, Mediaset, në pronësi të Berlusconit, ka shfrytëzuar një skemë antiligjore për shit-blerjen e të drejtave televizive të cilat kalonin nga njëra dorë në tjetrën me efektin financiar rritjen artificiale të çmimeve.

Procesi zgjati plot 6 vjet dhe përveç Berlusconit, fajtor u shpallën edhe producenti amerikan, Frang Agrama që u dënua me 3 vite burg, ndërsa u la i lirë Fedele Confalonieri, president i grupit mediatik, Mediaset.

Vendimi i gjykatës ishte më i rëndë se sa pretenca e prokurorisë që kërkoi 3 vite e 8 muaj burg për ish-kryeministrin italian. Në një tjetër proces gjyqësor të ngjashëm, atë “MediaTrade”, Berlusconi dhe presidenti i Mediaset Confalonieri u shpallën të pafajshëm.

Ky është vendimi i gjykatës së shkallës së parë milaneze, ndërsa pritet që vendimi të apelohet në gjykata të shkallëve më të larta nga avokatët e “Kavalierit”.

Berlusconi, 76 vjeç dha dorëheqjen nga posti i kryeministrit nëntorin e kaluar pas krizës së rëndë financiare që përfshiu vendin. Dorëheqja i dha fund dominimit 18-vjeçar të politikës italiane prej tij. Këto vite nuk kanë qenë të qeta për të. Ai është përballur me një mori akuzash dhe procesesh gjykësore, që nga korrupsioni, skandalet seksuale dhe evazioni fiskal.

Aktualisht, Berlusconi është i angazhuar në një tjetër proces gjyqësor, në të famshmin “Rubygate” për marrëdhënie seksuale me një prostitutë minorene, si dhe përdorimin e influencës së kryeministrit për të liruar minorenen nga burgjet pas arrestimit të saj për vjedhje.(LajmeShqip.com)