Lajme Shqip Wednesday, 05 December 2012 16:38

Manila – Bilanci i të vdekurve në shpërthimin e tajfunit Bofa, i cili i goditi Filipinet arriti më shumë se 230 persona, shumë njerëz llogariten si të zhdukur, ndërsa më të rrezikuara janë zonat në pjesën jugore të vendit, deklaroi sot zëdhënësi i Qeverisë së Filipineve Fe Maestre.

Ai konfirmoi se të paktën 151 persona e kanë humbur jetën në zonën më rëndë të goditur Kompostela Vali dhe edhe 66 banorë dhe ushtarë kanë pësuar në përmbytjet dhe rrëshqitjen e dheut në pjesën jugore të Filipineve.

Zëdhënësi i Qeverisë theksoi se nuk e di numrin e saktë të personave të cilët llogariten si të zhdukur në qytetin Nju Batan.

Sekretarja e Filipineve për mbrojtje sociale Korazon Soliman e përshkroi skenën e tërë shkatërrimit të zonave jugore, ku në shumë qytete dhe fshatra shtëpitë dhe objektet tjera janë prishur.

“Pak objekte mbetën të paprekura në qytetin Katil. Duhet të shpejtojmë në këto zona me thasë për fjetje, ilaçe, veshje të thata dhe më të rëndësishme tendat, sepse të pësuarit jetojnë në vende të hapura, duke pas parasysh atë se tajfuni i ka marrë shtëpitë dhe kulmet e tyre”, theksoi ajo.

Situata është e njëjtë edhe në qytetin Nju Batan, ku të paktën 44 persona e kanë humbur jetën në përmbytjet dhe rrëshqitjen e tokës.

“Trupat janë lënë të shtrirë në tokë në ambient të hapur në Nju Batan. ne nuk dëshirojmë të rrezikojmë zgjerim të sëmundjeve”, deklaroi Soliman.

Në dy zona në bregun më të rrezikuar lindor në ishullin Mindanao ka një qind viktima të tajfunit, përderisa edhe 12 e humbën jetën në pjesë tjera të ishullit.

Tajfuni, i përcjellë me reshje të rrëmbyeshme dhe erëra, të cilat arritën shpejtësi deri në 210 kilometra në orë, goditi dje zonë prej rreth 600 kilometrave në ishujt jugor dhe gradualisht është zhvendosur drejt pjesës qendrore të Filipineve dhe drejt Detit jugor kinez.

Meteorologët theksuan se Bofa, tajfuni më i fuqishëm, i cili gjatë këtij viti i goditi Filipinet, është dobësuar pasi ka kaluar në tokë në provincën Davao Oriantal, kështu që shpejtësia e erërave është dobësuar në 160 kilometra në orë.(LajmeShqip.com)