Lajme Shqip Saturday, 08 September 2012 15:08

Shkup – Nën patronazhin shtetëror në stadiumin “Filipi i Dytë” do të organizohet manifestimi qendror me koncert të madh ku janë të ftuar këngëtarët e skenës maqedonase, serbe dhe asaj rome, ndërsa në paralajmërimet publicitare nuk bëhet e ditur për asnjë artistë apo shfaqje kulturore shqiptare.

Manifestimi hapet me këngën “Maqedonia” me interpretimin e këngëtarit serb Dado Topiq, ndërsa më pas spektakli vijon me këngëtarët Zhelko Bebek, Josipa Lisac, Hari Varoshanoviq, Aleksandra Radoviq, Boris Novkoviq, Nina Badriq, Jelena Tomasheviq, Antonija Shola, Goran Karan, Miki Jovanovski, Oliver Mandiq, Esma Rexhepova, Tereza Kesovija, etj. Për këtë spektakël janë lëshuar në shitje mbi 70 mijë bileta.

Qeveria për spektaklin organizon edhe transport falas deri tek stadiumi nacional në Shkup nga të gjitha komunat e vendit. Qeveria ka bërë të ditur se për këtë manifestim ka ndarë 60 mijë euro vetëm për materiale propaganduese, zorimin, dritat dhe skenën gjigante. Nga zyrtarë të Qeverisë nuk janë dhënë hollësi lidhur me anashkalimin e artistëve të mirënjohur shqiptarë dhe shënimin e këtij përvjetori me elemente multietnike, duke pasqyruar karakterin shtetëror të këtij vendi. (INA)