Lajme Shqip Monday, 30 January 2012 19:21

Bukuresht- Ish kryeministri rumun, Adrian Nastase është dënuar sot nga Gykata Supreme me dy vjet burg nën akuzat për korrupsion, në një proces gjyqësor që është monitoruar nga afër prej Bashkimit Evropian.

Nastase, që ka udhëhequr qeverinë e social-demokratëve në mes të vitit 2000 dhe 2004 është akuzuar se për të financuar fushatën elektorale të 2004-ës ka marrë nga buxheti i shtetit 1,7 milionë euro.

Edhe pesë persona tjerë janë dënuar me gjashtë vjet burg për “abuzim të interesave të publikut”.

Ish kryeministri, i cili nuk ishte i pranishëm në gjykatë kur u dha verdikti, i ka thënë televizionit Realitatea se do ta apelojë vendimin.

“Ky verdikt është qartazi rezultat i presionit që u bë mbi gjykatësit”, tha Nastase. Ai shtoi se nga provat që ka ofruar në gjykatë është parë se ai është i pafajshëm dhe se rasti i tij është i “motivuar politikisht”.

Nastase, që në muajin e kaluar është shpallur i pafajashëm në një rast tjetër korrupsioni, përballet me një proces të tretë gjyqësor në lidhje me një marrëveshje për shtëpinë e tij luksoze, e cila thuhet se u ndërtua në këmbim të emërimit të kreut të firmës ndërtuese si ministër. (LajmeShqip.com)