Lajme Shqip Friday, 05 October 2012 17:28

SHBA – Alarmin për një rigjallërim të lëvizjeve fondamentaliste islamike e raportoi ditën e premte në një kryeartikull e përditshmja amerikane “Wall Street Journal”, përcjellë nga rrjeti “CNN”.

Në javët kaotike pas revolucionit egjiptian, me mijëra të burgosur arritën të arratiseshin.

Midis tyre, disa qindra ishin militantë islamikë, të cilët u bashkuan me radhët e organizatave militante.

Shumë prej tyre, ishin xhihadistë të përndjekur nga regjimit autoritar i Presidentit Mubarak, të vendosur për t’u hakmarrë për kalvarin e vuajtjeve të tyre në burg.

Një situatë e ngjashme shënohet në Libi, ku në shtator në një sulm ndaj konsullatës amerikane u vra edhe ambasadori në vend, në vendet e tjera të Afrikës Veriore dhe Lindjen e Mesme.

Sipas gazetës, përballë një prurje të tillë të paprecendet të militantëve, organizatat perëndimorë të inteligjencës, mbi të gjitha “CIA” dhe “Mossad”-i izraelit janë duke përjetuar vështirësi të mëdha në ndjekjen, vëzhgimin dhe përgjimin e aktiviteteve të militantëve.

Paralajmërimi i “Wall Street Journal” vjen vetëm një ditë pasi në një intervistë për një të përditshme bullgare, një klerik radikal i njohur për afrimitetin e tij me Al-Kaedën, kërcënoi vendet e Ballkanit me sulme terroriste në të ardhmen e afërt. (LajmeShqip.com)